Punimet në rrugën e re që lidh Shkodrën me Malin e Zi përmes aksit Shirokë–Zogaj–Kufi po shkojnë drejt përfundimit, duke përfaqësuar një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në veriperëndim të vendit.
Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga puna në terren, duke theksuar se ky projekt do të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes dy vendeve dhe do të ndikojë në bashkimin e ofertave turistike të zonës së Shkodrës dhe bregut malazez.
Aksi i ri rrugor pritet të lehtësojë qarkullimin e mjeteve dhe të rrisë aksesin e vizitorëve drejt zonave turistike përgjatë Liqenit të Shkodrës, Shirokës dhe Zogajt, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi për komunitetin lokal.
Investimi në këtë aks rrugor pritet të sjellë rritje të fluksit të turistëve, nxitje të ekonomisë vendore dhe forcim të bashkëpunimit ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.






