Ballina Sociale Urgjencat gjatë ndërrimit të viteve Brataj: Jemi në gatishmëri të plotë! Ministrja...

Urgjencat gjatë ndërrimit të viteve Brataj: Jemi në gatishmëri të plotë! Ministrja Sala: siguri për mbarëvajtjen e festave

Shërbimi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore krahas sistemit shëndetësor parësor në të gjithë vendin, do të vijojë punën pa ndërprerje, me qëllim garantimin e shërbimeve të menjëhershme dhe cilësore për qytetarët, gjatë periudhës së festave të fundvitit.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, e shoqëruar nga kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj vizituan kantierin e ndërtimit të qendrës rajonale të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, ku u ndalën te masat e marra për gatishmërinë e ekipeve mjekësore gjatë festave të fundvitit.

Duke folur për rëndësinë e kësaj qendre, Brataj e informoi ministren Sala mbi projektin, i cili sipas tij, është mjaft funksional duke e bërë këtë qendër me kapacitete të mjaftueshme për të përballuar fluksin e urgjencave.

Brataj theksoi se bazuar në Urdhrin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë forcuar kapacitetet e shërbimeve për datën 31 dhjetor, dhe 1 dhe 2 janar.

“Janë tri ditët e impenjimit tonë më të madh dhe shqetësimit në lidhje me traumat që mund të ndodhin nga aksidentet, përdorimi i alkoolit apo përdorimi i mjeteve piroteknike. Kemi shtuar ekipet natën e ndërrimit të viteve, kemi shtuar medikamentet dhe materialet mjekësore. Kemi po ashtu edhe një listë me personelin e gatishmërisë nëse do të jetë e nevojshme, në veçanti në Tiranë, në Spitalin e Traumës”, tha Brataj.

Po ashtu Brataj informoi se natën e ndërrimit të viteve janë aktivizuar ekipe shtesë vetëshërbimi pranë shesheve të qyteteve ku festohet.

Ai siguroi se masat e propozuara janë në lartësinë e duhur dhe Urgjenca Kombëtare do të jetë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

Nga ana e saj, ministrja Sala falënderoi gjithë stafin e Urgjencës Kombëtare për shërbimin, gatishmërinë, profesionalizmin dhe pasionin që tregojnë.

“Gatishmëria juaj është një siguri për qetësinë, mbarëvajtjen e festave dhe gjithë sistemin shëndetësor”, u shpreh ministrja Sala.

Spitalet dhe Urgjenca Mjekësore do të jenë në gatishmëri 24 orë në ditët festive. Urdhri, i firmosur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala përcakton sigurimin e gatishmërisë të shërbimeve shëndetësore gjatë sezonit të festave, me qëllim garantimin e kujdesit shëndetësor dhe sigurisë për qytetarët, pa asnjë ndërprerje, veçanërisht në datat 31 dhjetor 2025 dhe 1-2 janar 2026.

Në zbatim të këtij urdhri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe strukturat spitalore në të gjithë vendin janë në gatishmëri të plotë për të përballuar çdo rast emergjent, përfshirë traumat si pasojë e aksidenteve rrugore, tejkalimit të përdorimit të alkoolit apo përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë festimeve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks