Një 52 vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi mbante të ngujuar për shkak të bindjeve radikale gruan dhe fëmijët e tij prej 6 vjetësh.
Me finalizimin e operacionit të koduar “Ngujimi” u arrestua Xherxh (Gjergj) Laç, 52 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
“Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se 52-vjeçari, prej më shumë se 6 vitesh, mbante të mbyllur duke i dhunuar sistematikisht dhe kërcënuar me armë të ftohta, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur, të cilët nuk i lejonte të frekuentonin shkollën, për shkak të bindjeve të tij radikale,” njoftoi policia.
Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dy mjete prerëse thika ndërsa gjatë kontrolleve të ambienteve përreth banesës, në oborr, u gjetën dhe sekuestruan 700 fishekë luftarak dhe krehra automatiku.
Laçi ka qenë dhe më parë i dënuar për armëmbajte pa leje, pasi në vitin 2013 u arrestua nga policia në lagjen “5 maji” kur në gjendje të dehur qëlloi me kallashnikov në ajër duke terrorizuar lagjen.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.






