Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 2 shtetas të mitur, 16 dhe 15 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë iu gjetën sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu, 16-vjeçari drejtonte pa leje drejtimi, një motomjet, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. M., 25 vjeç, banues në Shkodër, pasi me motomjetin që drejtonte pa leje drejtimi, ka përplasur shtetasin T. H., 71 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, pasi dje, në aksin rrugor “Koplik-Shkodër”, automjeti me drejtuese shtetasen L. V. është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin S. Z. Pas kryerjes së veprimeve administrative, shtetasja L. V. dhe dy pasagjerët në automjetin e saj kryen kontroll mjekësor në Spitalin Rajonal Shkodër dhe u larguan. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit: -I. P., 55 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje; -S. P., 35 vjeç, banues në fshatin Ura e Shtrenjtë, pasi u kap nga shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, duke transportuar 11 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale; -P. Z., 53 vjeç, për veprën penale “Shpërdorimi i tokës”, pasi është konstatuar se kishte gërmuar në një sipërfaqe toke pranë banesës së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër shpallën në kërkim shtetasin P. N., 24 vjeç, banues në Shkodër, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj motrës së tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. K., 59 vjeç, pasi ka kryer punime ndërtimi, pa leje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.






