Teksa në mbledhjen që do të mbahet ditën e nesërme në orën 09:00, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme, që do të zëvendësojë Altin Dumanin, puna e këtij të fundit në krye të SPAK është vlerësuar nga SHBA.

Zv.drejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore, Lyn Debevoise ka zhvilluar sot një takim në SPAK me Dumanin. Lajmi është ndarë nga Ambasada e SHBA përmes një postimi në rrjetet sociale ku teksa ka ndarë foto nga takimi, shkruan se Altin Dumani luftoi krimin dhe korrupsionin dhe vendosi standardin për bashkëpunim mes SHBA dhe Shqipërisë.

Në fotot e postuara përveç Altin Dumanit, shihet edhe një foto me kandidatin që garon për kreun e ri të SPAK Klodian Braho, duke treguar kështu mbështetje për Brahon. 

‘ Sot, Zëvendësdrejtori për Çështjet e Europës Perëndimore Qendrore Lyn Debevoise vizitoi SPAK-un për të shprehur vlerësimin e Shteteve të Bashkuara për punën e Kryeprokurorit të Posaçëm Altin Dumani me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit për t’u përballur me rrjetet e paligjshme që kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të luftuar korrupsionin që pengon kompanitë dhe investitorët amerikanë. Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare, i cili shpresojmë se do të vazhdojë me pasardhësin e tij’, thuhet në postim.

Ndërkohë, në një takim të sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ishte i pranishëm dhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, ky i fundit kërkoi që anëtarët e KLP-së të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së.

“Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, mori fjalën në takimin e sotëm të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku u diskutuan mënyrat për të rritur efikasitetin, cilësinë dhe integritetin në sistemin e drejtësisë. Ai theksoi dy çështje që mbeten kryesore për gjyqësorin: vlerësimet realisht transparente dhe përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe standardeve për sigurinë në gjykata.

Në prag të zgjedhjes së nesërme të kreut të ri të SPAK, ku Ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, ai shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”,- shkruhet në postimin e BE-së në rrjetet sociale.

Edhe ambasada britanike në Tiranë kërkon që zgjedhja e kreut të ri të SPAK të bëhet në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente.

“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”,- shkruan ambasada britanike.

4 kandidatët që janë në garë për kreun e ri të SPAK, janë prokurorët Klodian Braho, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Adnan Xholi. Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu