Drejtori i Muzeut të Forcave të Armatosura, Niko Kotherja, njëkohësisht historian e koleksionist, ka restauruar një disk i cili mban të regjistruar zërin e at Gjergj Fishtës.
Disku është një ndër të paktat kopje autentike që kanë mbërritur deri në ditët tona. Niko Kotherja tregoi për ATSH-në se, disku ishte në gjendje të papërdorshme, i thyer në tri pjesë.
Historiani shpjegon se në gjendjen fillestare, ishte e pamundur të dëgjohej dhe se është dashur një punë e madhe për puthitjen e tri pjesëve në një të vetme për të bërë të mundur leximin e saktë të pllakës. Në këtë mënyrë Fishta i madh u ringjall përmes zërit të tij.
I pyetur mbi detaje teknike rreth restaurimit, Kotherja tha se, restaurimi u realizua në Korçë, duke përdorur metoda efikase për ngjitjen dhe njëkohësisht krijimin e terrenit sa më të favorshëm të riprodhimit në gramafon. Disku ka ende nevojë për një ndërhyrje të fundit, për eliminimin e zhurmave dhe më tutje do të vijë momenti i digjitalizimit të përmbajtjes së të dy anëve të tij.
“Kjo që shihni është një ndër kopjet e vetme autentike të diskut mbërritur në ditët tona ku gjendet i regjistruar zeri origjinal i kolosit të letrave shqipe dhe mendimtarit at Gjergj Fishta. Në dijeninë time kopje të tjera origjinale të këtij disku kanë qenë të limituara, pra jo një tirazh i lartë siç ishin disqet e tjera me muzikë që tregtoheshin asokohe”, thotë Niko Kotherja.
Ai shpjegoi se, pas një kohe të gjatë pune, duke respektuar me korrektësi cilësimin e 78 rrotullimeve për minutë, në të dy faqet e diskut, në pothuajse 7 minuta, u arri të dëgjohej qartë zëri i kolosit, që reciton dy nga këngët e kryeveprës së e tij “Lahuta e malcis”.
Disku, i regjistruar në Shkodër, besohet t’i përkasë vitit 1937 ose 1938 dhe është i vetmi material zanor deri më sot i at Gjergj Fishtës. Ai është pjesë e koleksionit të historianit Kotherja, së bashku me qindra dëshmi të tjera zanore, që datojnë para Luftës II Botërore. Disqet e tjera që përmban ky koleksion janë të larmishme, si muzikë popullore, këngë patriotike, regjistrime audio të personaliteteve, si Aleksandër Moisiu, etj.
Vlen të theksohet se pjesë e këtij koleksioni janë dhe gjithë regjistrimet në disqe të “Himnit të flamurit”, prej vitit 1918 e deri më 1952. Në këtë fond gjenden regjistrime të kryera nga kompani diskografike në Itali, Amerikë, Francë, Turqi, etj.
Niko Kotherja tha për ATSH-në se do të ketë një prezantim të këtij regjistrimi, i cili mund te vijë në një përvjetor të Fishtës apo të ngjarjeve ku ai ka qenë protagonist, si p.sh. Kongresi i Manastirit.






