Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e Indisë në Shqipëri, Sh.T. Z. Ravindra Prasad Jaiswal. Në takim ishte e pranishme edhe Zv/ Rektorja, Dr. Blerta Dragusha. Vizita u zhvillua në kuadër të forcimit të marrëdhënieve akademike dhe kulturore mes dy vendeve.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e zgjerimit të partneriteteve ndëruniversitare, me fokus të veçantë tek programi i ri “Administrim Biznes në gjuhën angleze” që pritet të hapet në vitin e ardhshëm akademik. Rektori Gjuraj ftoi ambasadorin Jaiswal të mbajë një leksion të hapur për studentët e universitetit, ndërsa u diskutua gjithashtu për shkëmbime të mundshme të stafit akademik dhe studentëve.
Ambasadori Jaiswal shprehu interes për programet në Menaxhim Shëndetësor dhe Infermieri, si dhe njoftoi gatishmërinë për t’i dhuruar Bibliotekës së Universitetit të Shkodrës një fond librash në gjuhën angleze që mbulojnë tema të ekonomisë dhe fusha të tjera shkencore.
Një pjesë e rëndësishme e takimit iu kushtua mundësive për bashkëpunim në fushën e teknologjisë, programeve kompjuterike dhe inteligjencës artificiale, duke synuar zhvillimin e moduleve të përbashkëta apo projekteve kërkimore.
Gjatë vizitës u prezantua edhe programi ndërkombëtar Indian Technical & Economic Cooperation Program (ITEC), një iniciativë e qeverisë indiane që ofron trajnime teknike dhe mbështetje për vendet partnere. Ky program pritet të hapë mundësi të reja kualifikimi për stafin dhe studentët e Universitetit të Shkodrës.
Të dy palët riafirmuan angazhimin për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha akademike, shkencore dhe teknologjike, me synimin për të ndërtuar ura të qëndrueshme partneriteti mes Shqipërisë dhe Indisë.






