Një studim i parë në llojin e vet mbi marrëdhënien midis letërsisë, kulturës popullore dhe kombformimit shqiptar. I tillë është libri me autor Prof.dr. Vehbi Miftari që u promovua në bibliotekën “Marin Barleti” në Shkodër. “Etnoletra shqipe”, shtron raportin mes letërsisë së frymës nacionale dhe prirjes ripërtëritëse të kombeve, të aplikuar mbi një tip letërsie e mbi një korpus veprash letrare: letërsinë e hershme shqipe dhe atë romantike.

Letërsia e shkruar shqipe lindi ngaqë në tokën e arbrit qe shtresuar tashmë një traditë popullore, si sinkretizim i traditës lokale dhe kulturës fetare. Pas më shumë se një dekade kërkimesh në fushën e kombformimit dhe studimeve ndërdisiplinare në filozofi, sociologji, kulturë popullore dhe letërsi, autori sjell për lexuesin dhe studiuesin shqiptar një vepër tërësore dhe novatore që shqyrton marrëdhënien e ndërsjellë midis letërsisë shqipe, kulturës popullore dhe proçesit të krijimit dhe konsolidimit të kombit shqiptar. Libri është konceptuar në tre “libra” tematikë, që trajtojnë: Rolin e letërsisë në krijimin e përkatësive kolektive, në dritën e teorive mbi kombformimin – nga etnosimbolizmi, modernizmi e deri te qasjet bashkëkohore si ajo e David Millerit; Letërsinë identitare të humanistëve shqiptarë – përfaqësuar nga tri “B”-të themelore të letrave shqipe: Buzuku, Budi dhe Bogdani; Romantikët dhe pasromantikët shqiptarë – nga De Rada te Naim Frashëri, e më tej tek Gjergj Fishta dhe Ernest Koliqi, duke analizuar mënyrën se si letërsia ndërvepron me mitet, kujtesën kolektive dhe simbolet kombëtare.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu