Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet. Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale të tjera pamje nga ndërhyrjet për çmontimin e strukturave metalike të vendosura në shkelje të ligjit nga subjektet private.
“Hapësirat publike do të çlirohen të tëra, pa ndalim as përjashtim”, shkruan Rama në faqen zyrtare në Facebook.
Lirimi i hapësirave publike ka nisur si një aksion kombëtar që prej muajit korrik. Të gjithë bizneset apo lokalet që padrejtësisht kanë zaptuar hapësirat publike me rrethimet metalike, struktura prej xhami apo me karrige e tavolina, do të prishen.
Qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 302 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 475 raste, ndërsa 3 827 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Në këtë kuadër, kryeministri Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.






