Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka uruar Shqipërinë për 113-vjetorin e pavarësisë.
Urimet janë përcjellë përmes Presidentit Begaj, i cili në rrjete sociale ka falenderuar SHBA-të.
Më tej, Begaj shkruan se vendi ynë ka si prioritet bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara.
“Ndihem i nderuar t’u përcjell përshëndetjet e Presidentit Trump shqiptarëve për Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, dhe faleminderit.
@POTUS
Donald J. Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria mbetet e përkushtuar për të punuar me Shtetet e Bashkuara mbi prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të qëndrojë gjithmonë përkrah Shteteve të Bashkuara. Zoti i bekoftë kombet dhe popujt tanë!“, shkruan Begaj në rrjete sociale.
Kujtojmë se urime pati dhe nga ana e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, në një deklaratë publike.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dua të uroj popullin e Shqipërisë me rastin e Ditës së Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria gëzojnë një partneritet të fortë, i ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për një të ardhme më të sigurt dhe më të begatë. Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë dhe ne mirëpresim rritjen e investimeve të Shqipërisë në sigurinë kolektive. Po ashtu, partneriteti ynë me forcat shqiptare të rendit e bën më të sigurt jetën e qytetarëve tanë, ndërsa përballemi me kërcënimet e grupeve kriminale transnacionale, kartelet e trafikut të drogës dhe atyre që bashkëpunojnë me to. Ne vlerësojmë gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë në adresimin e kërcënimeve kibernetike dhe përgëzojmë Shqipërinë për përparimin e rëndësishëm në fushën e sigurisë kibernetike”, thuhet në deklaratën e tij.
Në fund Sekretari amerikan i Shtetit thekson se, “në këtë ditë të shënuar, presim me padurim të zgjerojmë më tej bashkëpunimin tonë në fushën e sigurisë, lidhjet ekonomike dhe miqësinë e qëndrueshme me Shqipërinë”.
Sot Shqipëria feston 113 vjet pavarësi. Nga viti 1912 kur Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane, kjo datë është festa që përbashkon të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata në shtetin amë, por edhe ata të Kosovës, të trojeve të tjera, por edhe miliona bashkatdhetarëve që jetojnë në mbarë botën.






