Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër trafikut të drogës është zhvilluar në Itali, Shqipëri, Angli dhe Francë. Gjykata e Breshias ka lëshuar në total 24 masa sigurie, 10 nga të cilat janë ekzekutuar në Breshia. Ndërkohë, me urdhër të SPAK në Tiranë është arrestuar oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili dyshohet se kishte lidhje me klanet shqiptare të trafikut të drogës. Ai dyshohet se gjatë kohës që ushtronte detyrën tek Forcat Operacionale ka dekonspiruar hetimet.
Bëhet fjalë për goditjen e klaneve shqiptare, që akuzohen se kanë trafikuar drejt Italisë 1.3 tonë kokainë në vitet 2020-2025. Hetimi, i koordinuar nga Prokuroria Antimafia e Brescias, është rezultat i një pune hetimore pesëvjeçare, i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe zvicerane. Kanë qenë bisedat mes anëtarëve të grupit që kanë zbardhur aktivitetin e tyre kriminal, por edhe përgjime telefonike. 49 persona janë vënë në hetim në kuadër të këtij operacioni, 46 nga të cilët janë shqiptarë.
Si funksiononte grupi kriminal?
Sipas hetuesve, grupi me bazë operative në Shqipëri dhe me degëzime në Itali, dyshohet se ka trafikuar drogë nga Amerika e Jugut duke shfrytëzuar rrugë tregtare që kishin si destinacion portet e mëdha të Europës Veriore. Droga më pas transportohej drejt Italisë me kamionë, e fshehur brenda mjeteve të rënda. Ndërkohë, heroina transportohej nga Shqipëria në drejtim të Italisë, përmes autobusëve. Sipas mediave Italiane, shoferët e autobusëve shpesh nuk ishin në dijeni, ndërsa shoferët e kamionëve ishin bashkëpunëtorë të klaneve.
Pasi droga mbërrinte në Itali, ishin po anëtarët shqiptarë që më pas e shpërndanin në 6 baza logjistike të vendosura në territorin italian, që funksiononin si qendra të vërteta magazinimi dhe shpërndarjeje. Kryesisht grupi shqiptar i kishte bazat në dy provinca në Breshia, Rovato dhe Palazzolo.
Nga këto qendra, përveç drogës, administrohej edhe qarkullimi i parave. Shumat e mëdha të parave të përftuara nga shitja e drogës ktheheshin te drejtuesit e organizatës përmes autobusëve në linjat Itali-Shqipëri.
Çfarë u sekuestrua?
Gjatë hetimit, autoritetet kanë sekuestruar 550 mijë euro, 10 automjete, një pistoletë dhe 130 kilogramë lëndë narkotike, kokainë dhe heroinë, që në treg do të kishin vlerë rreth 12 milionë euro. Janë duke u kryer mbi 35 kontrolle në të gjithë Italinë.
Lajmi në përditësim….






