Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “AKSI”, i cili kishte për qëllim goditjen e personave që qarkullojnë të armatosur apo mbajnë armë zjarri pa leje.
Operacioni u zhvillua pas informacionit të marrë për një të ri që qarkullonte i armatosur. Gjatë kontrollit të kryer në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në fshatin Mabë, shërbimet e Policisë ndaluan një automjet tip BMW dhe gjetën te drejtuesi i tij një armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak.
Pas këtij kontrolli, në bashkëpunim me DVP Shkodër, u ushtrua edhe kontroll në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, ku u sekuestrua gjithashtu një sasi e vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Xhordan Cafi, 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për sigurimin e informacioneve me qëllim kapjen dhe arrestimin e personave që qarkullojnë të armatosur apo mbajnë në banesë armë zjarri pa leje, shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Lezhë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, bazuar në informacionet e siguruara për një të ri që qarkullonte i armatosur, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Aksi”.
Si rezultat i operacionit, në aksin rrugor “Lezhë–Shkodër”, në fshatin Mabë, shërbimet e Policisë konstatuan një automjet tip BMW që dyshohej se udhëtonte i riu i armatosur dhe e ndaluan për të ushtruar kontroll. Gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit dhe të çantës që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë, me krehër dhe municion luftarak.
Në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër, u ushtrua kontroll edhe në banesën e tij në lagjen “Salo Halili”, në Shkodër, ku gjatë kontrollit shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lënde narkotike, e dyshuar kanabis. Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë shtetasi Xh. C., 23 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.






