Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, bashkoi në universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, studiues dhe pedagogë nga Shqipëria e rajoni, në simpoziumin shkencor me temë “Alfabeti që Bashkon Shqiptarët”. Ky aktivitet, i cili ka për qëllim të nënvizojë rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit, mbajti një vend të veçantë në nderim të trashëgimisë kulturore dhe unifikimit të gjuhës shqipe. Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i pranishëm në këtë simpozium, foli për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe si një pasuri të çmuar të kombit shqiptar. Ai nënvizoi se, përkundër sfidave që i paraqiten, duhet të bëjmë më shumë për të ruajtur dhe përhapur gjuhën shqipe si një simbol të unitetit.

“Çdo gjuhë, por veçanërisht ato që fliten nga një numër më i vogël bashkëkombësish, si shqipja, ditët e sotme janë në rrezik, nga njëra anë prej ndikimit të gjuhëve ndërkombëtare, dhe, nga ana tjetër, prej deformimeve që ndodhin në komunikimin digjital. Besoj se pedagogët e nderuar të këtij universiteti e dinë më mirë se kushdo se, kush nuk e flet mirë gjuhën e vet, do të jetë gjithmonë i kufizuar të mësojë gjuhët e tjera. Kush dëshiron të flasë mirë një gjuhë të huaj, duhet të nisë duke mësuar mirë dhe me dashuri gjuhën amtare”, – theksoi Presidenti i Republikës.“Sot, ne kemi gjithçka që ata ëndërruan: kemi Shqipërinë, kemi Kosovën, kemi arsim shqip, media shqip, teknologji shqip. Por kemi edhe një detyrim moral: ta ruajmë, ta mbrojmë dhe ta zhvillojmë më tej këtë trashëgimi të shenjtë: gjuhën tonë, si shenja më e gjallë e identitetit shqiptar.
Një gjuhë, një shqiptari, një amanet.
Pa gjuhë, nuk ka komb!
Nuk mund të ketë shqiptari pa gjuhën shqipe, pa shkronjat shqipe. Për shkollat shqipe,
Kongresi i Manastirit na mëson se bashkimi është forca që i jep kuptim çdo përpjekjeje kombëtare. Të jemi sot si atëherë, një komb që sheh përpara, që nderon rrënjët e veta dhe që beson në fuqinë e gjuhës, të dijes dhe të unitetit.
Dua të mbyll fjalën time me një falënderim të vecantë, mjaft të madh për të gjithë shqiptarët, Diasporën e vjetër dhe të re, kudo janë, arbëreshët e Italisë, arbanitasit e Zarës në Kroaci apo arbëreshët e Mandricës në Bullgari dhe të gjitha shoqatat, mësuesit, studiuesit e gjuhës, të cilët, me përkushtim dhe dashuri të madhe punojnë çdo ditë dhe pa u lodhur për të promovuar, për të ruajtur dhe trashëguar këtë gjuhë të mrekullueshme të identiteit tonë. Gëzuar përjetë Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe!”

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikoll Camaj, theksoi rëndësinë e hapjes së një institucioni albanologjik në Podgoricë, duke theksuar se kjo do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve kulturore dhe shkencore mes shqiptarëve të Malit të Zi dhe atyre të Shqipërisë.

Ky simpozium shkencor u bë një mundësi për të reflektuar mbi pasurinë e gjuhës shqipe dhe për të inkurajuar bashkëpunimin mes studiuesve dhe institucioneve të ndryshme që punojnë për ruajtjen dhe zhvillimin e saj. I organizuar nga Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, ai është një kontribut i rëndësishëm për edukimin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj mbi vlerat e gjuhës dhe kulturës shqiptare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu