16 nëntori i këtij viti shënon 35 vjetorin e faljes së parë në xhaminë e plumbit, ditës që riktheu lirinë e besimit mes shqiptarëve, pas viteve të errëta të regjimit komunist. Myftinia Shkodër i përmbylli organizimet e këtij jubileu me aktivitetin “Dita e Rihapjes së Xhamisë së Plumbit – Simbol i Lirisë së Besimit!”. Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed Sytari, në mesazhin e tij theksoi rëndësinë e rikthimit të lirisë së besimit, rolin e Xhamisë së Plumbit në historinë e qytetit dhe vlerën e transmetimit të mesazheve të paqes, moralit dhe solidaritetit në komunitet.
Aktivitetin e përshëndeti edhe Dr. Ibrahim Metar, mysafiri nga Damasku, i cili vlerësoi nismën dhe rëndësinë e saj për edukimin dhe ndërgjegjësimin e brezave të rinj. Një moment i veçantë ishte fjala e njërit prej nismëtarëve të rihapjes së xhamisë së Plumbit, Mehdi Myftia, i cili solli kujtime dhe reflektime mbi përpjekjet e para dhe kontributet që e kanë bërë të mundur zhvillimin e sotëm të kësaj veprimtarie.
Në kuadër të aktivitetit u shfaq edhe një pjesë filmike që dokumentonte ceremoninë madhështore të 16 nëntorit 1990, çast historik që shënon ringjalljen e besimit dhe hapjen e një kapitulli të ri për komunitetin musliman të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë.






