Të dashur vëllezër e motra!

Sot në Shkodrën tonë të dashur, qytetin e martirëve dhe të dritës, përkujtohet me mirënjohje e me emocion të thellë 35-vjetori i Meshës së Parë të kremtuar publikisht pas dekadash ndalimi të fesë, si dhe Faljes së Parë në Xhaminë e Plumbit, në dhjetorin e vitit 1990. Ishte momenti kur, pas një periudhe të gjatë heshtjeje e dhimbjeje, zëri i Zotit u dëgjua sërish në Shkodër, dhe besimi i popullit tonë u ngrit si një flakë që nuk mund ta shuante asnjë errësirë.

Në atë ditë të Nëntorit në varrezat e Rmajt, Dom Simon Jubani, meshtar i Kishës martire shqiptare, ngriti për herë të parë pas shumë vitesh duart drejt qiellit dhe shqiptoi fjalët e shenjta të Meshës. Ishte një akt i madh guximi dhe feje, një dritë që ndriçoi jo vetëm Shkodrën, por mbarë Shqipërinë. Krejt të besimtarët qanin, luteshin, falënderonin. Ajo Meshë u bë fillimi i një epoke të re, dëshmi se Zoti nuk harron kurrë dhe se besimi i popullit shqiptar është më i fortë se çdo zinxhir.

Në të njëjtën kohë, disa ditë më pas, nga Hafiz Sabri Koçi në Xhaminë e Plumbit, vëllezërit tanë myslimanë ngritën duart në lutje, duke e bërë Shkodrën vendin ku për herë të parë pas dekadash u dëgjua sërish fjala “Zot” në dy forma të ndryshme, por me të njëjtën dashuri. Kështu, qyteti ynë u bë shenjë e bashkëjetesës, e paqes dhe e shpresës.

Sot, pas 35 vitesh, kujtojmë me mirënjohje Dom Simon Jubanin, këtë meshtar të patrembur që nuk u përkul para frikës, por dëshmoi me jetën e tij se feja është më e fortë se burgu, më e fortë se vdekja. Kujtojmë gjithashtu të gjithë Martirët tanë, burra e gra që mbajtën të gjallë flakën e Ungjillit në errësirën e ateizmit. Ata janë themeli mbi të cilin qëndron sot Kisha jonë e lirë.

Të dashur vëllezër e motra, ky përvjetor, i cili nuk më gjen pranë jush për shkak të angazhimeve jashtë vendit, është për ne një ditë falënderimi, por edhe një thirrje për përgjegjësi. Falënderim ndaj Zotit që nuk na braktisi dhe përgjegjësi që ta ruajmë të gjallë këtë trashëgimi të shenjtë. Liria fetare që gëzojmë sot është dhuratë, por kërkon prej nesh besim të pastër, dashuri të sinqertë dhe dëshmi të përditshme.

Le të jemi bij të bijve të dritës, që me jetën tonë dëshmojmë Ungjillin e Krishtit dhe ndërtojmë ura mirëkuptimi me çdo njeri vullnetmirë.
Le ta bëjmë Shkodrën tonë gjithnjë shembull të bashkëjetesës, respektit dhe vëllazërisë shpirtërore, ashtu siç ka qenë në historinë e saj.

Në fund, le të lutemi: që gjaku i martirëve të vazhdojë të jetë farë e re për besimin, që drita e Meshës së Dom Simon Jubanit të mos shuhet kurrë, dhe që Zoti të na japë forcën për të mbetur gjithmonë dëshmitarë të dashurisë së Tij.

+ Imzot Giovanni Peragine
Arqipeshkëv Metropolit Shkodër-Pult

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu