Një shtëpi bari, zbuluar të dielën e 2 nëntorit në Malësinë e Madhe në Shkodër, është një nga operacionet e fundit të policisë përgjatë vitit 2025 në betejën e gjatë kundër kultivimit të kanabissativa. Shtëpitë e barit, me përhapje gjithnjë e më të madhe, vitet e fundit, ku kanabisi kultivohet nën dritat e neoneve, janë sfida më e madhe e policisë për t’i gjurmuar. Brenda saj u gjetën të paktën 1110 bimë kanabisi, që po rriteshin mes llambash. Përgjatë këtij viti, shifrat zyrtare të siguruara deri në ditët e para të Nëntorit, dëshmojnë sërish një përhapje të gjerë të fenomenit, ndonëse më i reduktuar. Në total, në 12 qarqe, Policia e Shtetit, ndihmuar sërish nga Guardia di Finanza italiane, gjeti dhe asgjësoi 213,856 bimë dhe fidanë kanabis. Krahasuar me vitin 2024, shifrat janë më të ulëta, me 137,705 rrënjë e fidanë më pak.

KANABIS I ASGJËSUAR

2025:           213,856 bimë dhe fidanë

2024:           351,561 bimë dhe fidanë

Prej disa vitesh qarku i Shkodrës konfirmohet në krye të listës, me mbi 87% të rasteve të zbuluar në këtë territor, dhe një total prej 186,460 bimësh dhe fidanësh të asgjësuar. I dyti në radhë është Fieri me 9,305 rrënjë kanabis, ndjekur nga Lezha, Tirana, Durrësi, Dibra dhe Vlora. I fundit në renditje, me numër shumë të ulët rrënjësh kanabisi të asgjësuara është qarku i Korçës, me vetëm 4 bimë kanabis të zbuluara.

QARKU     TOTALI BIMË & FIDANË

Shkodër     186,460 bimë & fidanë

Fier             9,305 bimë & fidanë

Lezhë          8,123 bimë & fidanë

Tiranë         3,088 bimë & fidanë

Durrës        1,931 bimë & fidanë

Dibër          1,800 bimë & fidanë

Vlorë          1,279 bimë & fidanë

Gjirokastër  736 bimë & fidanë

Kukës          642 bimë & fidanë

Elbasan       297 bimë & fidanë

Berat           191 bimë & fidanë

Korçë          4 bimë & fidanë

Të paktën 182 persona u identifikuan si të përfshirë direkt në kultivimin e bimëve narkotike. Shumica e tyre, 141 persona, u arrestuan. Të tjerët, një pjesë janë në hetim e disa të shpallur në kërkim. Krahasuar më vitin e shkuar ka më pak persona të implikuar, por më shumë që kanë përfunduar në pranga.

PËRFSHIRË NË KULTIVIM

2025:           182 persona  (141 të arrestuar)

2024:          184 persona (128 të arrestuar)

Gjatë operacionit të pak ditëve më parë në Malësinë e Madhe, përveç dy personave të dyshuar si autorë, në pranga përfunduan edhe 4 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.

Në total gjatë këtij viti, për të njëjtën akuzë apo dhe moskallëzim krimi, janë hetuar 160 zyrtarë, kryetar njësie administrative, kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së, inspektorë mjedisi dhe pyjesh. Prej tyre vetëm dy u arrestuan. Një vit më parë, nën hetim përfunduan 103 zyrtarë. / shqiptarja.com

ZYRTARË TË HETUAR

2025:          160 zyrtarë

2024:          103 zyrtarë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu