Zjarret e kësaj vere që patën pasoja të jashtëzakonshme për sa i takon djegies së tokave, banesave dhe dëmeve në bagëti në disa rajone nxorën në pah edhe mungesën e mjeteve të përshtatshme për luftën përballë flakëve.

Duket se qeveria ka vendosur që të dedikojë një fond të veçantë për fatkeqësitë natyrore në buxhetin e vitit 2026, ku përfshihen të gjithë fatkeqësitë natyrore dhe që synojnë përballimin më të mirë të situatave të vështira. Duke iu referuar një aneksi të veçantë që shoqëron buxhetin, thuhet se ky do të jetë një “Fond i veçantë për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore”.

“Fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore është një mekanizëm financiar që mbështet politikën kombëtare të parandalimit dhe menaxhimit rajonal e vendor të fatkeqësive natyrore dhe të tjera. Për vitin 2026, Fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore është pjesë e fondit të akorduar në buxhetin e vitit 2026, në programin “Emergjencat Civile”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes” thuhet në aneksin 6 që shoqëron projektbuxhetin.

Konkretisht, vlerësimi i projekteve, sipas njësive të vetëqeverisjes vendore aplikuese, bëhet me vendim të Komisionit për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, i cili kryesohet nga Drejtori i AKMC-së (Kryetar) dhe ka në përbërje anëtarë nga struktura përgjegjëse për mbrojtjen civile (Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile), anëtarë nga Ministria e Mbrojtjes, nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor dhe nga Shoqata për Autonomi Vendore.

“Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore miraton specifikimet, rregullat dhe kriteret për financimin e projekteve në infrastrukturë dhe për blerjen e pajisjeve për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, si edhe për vlerësimin e projekteve. Sekretariati teknik për Fondin e Parandalimit dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore ngrihet pranë AKMC-së dhe ndihmon punën e Komisionit për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore,” thuhet në dokument.

I njëjti burim saktëson se fondi për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, me përparësi, duhet të financojë projektet e investimeve tashmë në proces. Pjesa e financimit të projekteve në proces vendoset në listën e investimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, në përputhje me ecurinë e projektit. Ministria e Mbrojtjes mund të kërkojë rialokime midis projekteve të Fondit të Parandalimit dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore, sipas procedurave të miratuara për investimet publike.

Thirrjet për aplikim në Fondin e Parandalimit dhe Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore për vitin buxhetor 2026 nisin në nëntor të vitit 2025 dhe përfundojnë më 15 shkurt 2026.  Projektet e përzgjedhura nga Komisioni për Parandalimin dhe Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, nëpërmjet Ministrisë së Mbrojtjes, dërgohen për miratim pranë Këshillit të Ministrave brenda datës 1 mars 2026.

Pas kësaj, Këshilli i Ministrave miraton projektet e reja fituese, si edhe përcakton autoritetin kontraktor për zbatimin e projekteve të reja sipas njësive të vetëqeverisjes vendore, brenda datës 15 mars 2026. Subjektet aplikuese dhe zbatuese janë njësitë e vetëqeverisjes vendore./monitor

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu