Lezhë/Vijojnë kontrolle për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.
Lëvizte me automjet, për të shitur lëndë narkotike Cannabis Sativa, arrestohet 29-vjeçari.
Sekuestrohen sasia e lëndës që u gjet në automjet, automjeti tip “Nissan” dhe 2 celularët e të arrestuarit.
Në vijim të punës informative dhe operacionale, të kryer me objektiv parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit, prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale i bënë shenjë ndalimi, në aksin rrugor “Kallmet – Ungrej”, automjetit tip “Nissan”, me drejtues shtetasin A. T..
Nga kontrolli, u gjet në automjet, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila posedohej me qëllim shitjen.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 29 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.






