Forcimi i cilësisë së shërbimit publik, zbatimi rigoroz i protokolleve mjekësore dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna ishin në qendër të takimit të sotëm të ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala me drejtuesit e spitaleve të vendit.

“Pa protokolle në çdo spital, nuk mund të kemi standarde dhe planifikim të saktë të shërbimit. Cilësia e shërbimit, standardizimi dhe kostifikimi i tij bazohen në zbatimin rigoroz të protokolleve mjekësore”, theksoi ministrja Sala, duke kërkuar përgjegjshmëri maksimale në zbatimin e tyre.

Në të njëjtën linjë, Sala vuri theksin tek furnizimi me barna dhe materiale mjekësore, duke kërkuar vendimmarrje të bazuar në të dhëna të sakta dhe nevojat reale të pacientëve.

“Sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm me barna dhe materiale mjekësore duhet të sigurohet në bashkërendim të plotë midis shërbimeve spitalore, farmacisë dhe strukturave të planifikimit, në mënyrë që çdo vendimmarrje të mbështetet në të dhëna të sakta dhe në nevojat reale të pacientëve”, tha Sala.

Gjithashtu, ministrja Sala theksoi rëndësinë e ecurisë së procesit të autonomisë spitalore dhe vijimin e digjitalizimit të proceseve të menaxhimit administrativë të spitaleve.

“Kërkohet bashkëpunim dhe angazhim maksimal për të marrë masat për përdorimin e Sistemit të Menaxhimit të Informacionit Spitalor, që siguron digjitalizimin e gjithë dokumenteve mjekësore të prodhuara. Vihet re një përdorim shumë i ulët dhe si rrjedhojë nuk është arritur eliminimi i procedurave me letra fizike”, tha Sala.

Një tjetër prioritet mbetet forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit midis spitaleve, Operatorit të Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor dhe strukturave të Ministrisë, për të reaguar në kohë reale ndaj çdo situate.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu