Screenshot

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka lënë në fuqi masat e sigurisë “arrest në burg” për 3 personat e përfshirë në vrasjen e gjyqtarit Astir Kalaja më 6 tetor në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku gjithashtu u plagosën dy shtetas të tjerë.

Ngjarja ndodhi gjatë një seance gjyqësore, ku shtetasi Elvis Shkambi palë në proces, qëlloi me armë zjarri drejt gjyqtarit Astrit Kalaja dhe shtetasve Ragip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, atë e bir, që ndodheshin në sallë si pala tjetër në çështje. Prokuroria kishte kërkuar vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Elvis Shkambin, i dyshuar për “vrasje të funksionarëve publikë”, “vrasje në rrethana cilësuese”, “mbajtje pa leje të armëve”, për Gjon Shkambin i dyshuar për “vrasje në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë; si dhe për Banush Koxhaj, i dyshuar për “shpërdorim detyre”. Gjykata e Shkallës së Parë kishte pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe kishte vendosur masën e “arrestit në burg” për të tre të dyshuarit. Ndaj këtij vendimi bënë ankim Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj, të cilët kërkuan një masë sigurie më të butë. Pas shqyrtimit të çështjes, Gjykata e Apelit, me trup gjykues të kryesuar nga gjyqtari Genti Shala, vendosi të rrëzojë ankimet dhe të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke miratuar masat e sigurisë “arrest në burg” për të tre personat nën hetim.


REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

NJOFTIM PËR MEDIA

Në Gjykatën e Apelit, sot u gjykua çështja penale (masë sigurimi) që i përket ngjarjes së ndodhur me datë 06.10.2025, rreth orës 15:40, ku në ambientet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjatë një procesi gjyqësor, dyshohet se shtetasi Elvis Shkambi (palë në proces) ka qëlluar me armë zjarri drejt gjyqtarit, shtetasit Astrit Kalaja dhe shtetasve R. K. dhe E. K., atë e bir (pala tjetër në proces). Si pasojë ka humbur jetën gjyqtari A. K. dhe janë plagosur shtetasit R. K. dhe E. K.

Mbi kërkesën e Prokurorisë, është zhvilluar gjykimi lidhur me vlerësimin e ligjshëm të arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, ndaj:

  • personit nën hetim Elvis Shkambi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes së funksionarëve publikë”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe të municionit”, parashikuar nga nenet 79/a, 79 germa “ç”, 25, 22 dhe 278/1 të Kodit Penal.

  • personit nën hetim Gjon Shkambi, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79 germa “ç”, 25, 22 i Kodit Penal.

  • personit nën hetim Banush Koxhaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Lidhur sa më sipër, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2774 Regj, datë 09.10.2025, ka vendosur:

  1. Pranimin e kërkesave të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

  2. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Elvis Shkambi.

  3. Të caktojë si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim Elvis Shkambi, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

  4. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Gjon Shkambi.

  5. Të caktojë si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim Gjon Shkambi, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

  6. Të vleftësojë si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të personit nën hetim Banush Koxhaj.

  7. Të caktojë si masë sigurimi personal ndaj personit nën hetim Banush Koxhaj, atë të “Arrestit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.

  8. Urdhërohet Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të paraqitur nga personat nën hetim Gjon Shkambi dhe Banush Koxhaj, të cilët kërkuan ndryshimin e vendimit, caktimin e një mase sigurimi më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 27.10.2025, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtar Z. Genti Shala, vendosi:

  • Miratimin e vendimit nr. 2774 Regj, datë 09.10.2025 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu