Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit Elvis Shkambi që vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, do të rikthehet sot në Gjykatën e Apelit në Tiranë, aty ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë. Ai kërkon masë më të butë sigurie nga arresti me burg dhe kërkesa e tij do të shqyrtohet sot në orën 10:00 në këtë gjykatë. Pritet që të shqyrtohet gjithashtu edhe ankimimi i bërë nga Banush Koxhaj, punonjësi i sigurisë në këtë gjykatë. Nipi 30-vjeçar, gjithashtu në paraburgim, nuk e ka apeluar vendimin për të kërkuar ndryshim të masës së sigurisë.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 6 tetorit pasi gjyqtari Kalaja dha vendim kundër familjes Shkambi. Në këtë moment, 30-vjeçari ka nxjerrë armën të cilën kishte arritur ta fuste pa problem brenda ambienteve të gjykatës dhe ka qëlluar ndaj gjyqtarit, si dhe ndaj palës kundërshtare, babë e bir, Ragip dhe Ervis Kurtaj, të cilët mbetën të plagosur.
Prokuroria e akuzon Gjon Shkambin se kishte dijeni vetëm planin e nipit të tij ndaj palës kundërshtare në gjyq dhe se kishte rolin e nxitësit në tentativën për të vrarë babë e bir për mosmarrëveshjet për pronën.Punonjësi i sigurisë së gjykatës akuzohet për shpërdorim detyre pasi nuk lëvizi nga vendi edhe pse detektori sinjalizoi praninë e armës kur Gjon dhe Elvis Shkambi hynë brenda gjykatës.






