Kodi Penal i vitit 1995 pritet të ndryshojë sërish, edhe pse një Kod i ri është hartuar dhe gjendet në fazë diskutimi.

Ministria e Drejtësisë ka nxjerr në konsultim disa shtesa të legjislacionit në përputhje me objektivin e integrimit të Shqipërisë në BE. Përafrimi i akteve në fushat e pastrimit të parave, luftën ndaj terrorizmit, trafikut të paligjshëm të drogave, trafikimit të qenieve njerëzore, abuzimit seksual dhe pornografisë së fëmijëve është parashikuar të kryhet brenda vitit 2025, prandaj Ministria e drejtësisë shpjegon se ka nevojë për një ndryshim të Kodit ekzistues, veç angazhimit për Kodin e ri Penal.

Ky projektligj synon të forcojë mbrojtjen e territorit përmes ndërhyrjes në Kodin Penal lidhur me ndërtimet e paligjshme, zënien e tokave dhe zjarrvëniet si dhe do të rris masat ndëshkuese për funksionarët publikë të përfshirë në ndërtimet pa leje me dënim deri në 7 vite burg dhe heqje e të drejtës për të punuar në administratë deri në 5 vjet; në rast se ndërtimi kryhet brenda zonave të mbrojtura dënimi shkon deri në 10 vjet burg.

Shkaktarët e zjarrit me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, rrezikojnë deri në 15 vjet burg, si dhe toka në zonat e prekura nga zjarri në pyje nuk mund të ndryshohet brenda një periudhe deri në tridhjetë vjet. Gjithashtu parkimi në rresht të dytë që pengon qarkullimin e mjeteve të emergjencës apo këmbësorët do të njihet si vepër penale e sanksionuar me gjobë ose burg deri një vit.

Një dispozitë e re është mbi kriminalizimin e mashtrimit që ndikon në interesat financiare të BE-së. Kur keqpërdoren fondet, në pranga deri në 5 vite, dhe kur shifra kalon mbi 50 mijë euro; dënimi rritet deri në 10 vite.

Në projektligj janë parashikuar edhe sanksione për rastet që përfshijnë prodhimin e sasisë të konsiderueshme narkotikësh dhe substancash që kanë shkaktuar dëme serioze në shëndetin e personave, me burgim deri në 20 vite.

Do të shtohet doza e dënimeve për abuzimet seksuale dhe mbrojtja e fëmijëve që janë viktima të veprave penale si pornografia apo prostitucioni; ku futet edhe neni i ndalimit të përkohshëm ose të përhershëm i autorit për ushtrimin e aktiviteteve profesionale që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë dhe të rregullt me të mitur, si një dënim shtesë së bashku me atë kryesor.

Kur një fëmijë kërcënohet apo nxitet për të marr pjesë në prostitucion pa mbushur 14 vjec ka masën deri në 15 vite burgim; jo më pak se aq kur vepra kryhet nga një anëtar i familjes së fëmijës apo nga persona në funksione shtetërore. Edhe udhëtimet për qëllime seksuale kundrejt shpërblimit apo jo riskojnë deri në 6 vite burg.

Ndryshimet synojnë edhe përmirësimin e kuadrit ligjor për përshkrimin e sjelljeve terroriste apo pjesëmarrjen në organizata të tilla; ndërsa risia do të jetë shtimi i një vepre penale që lidhet me provokimin publik për të kryer një vepër penale terroriste, marrjen e trajnimit për terrorizëm, udhëtimin për qëllime terrorizmi, organizimin ose lehtësimin e udhëtimit për qëllime terrorizmi; arrijnë dënimet deri në jo më pak se 15 vjet.

Projektligji i cili përmban 51 nene me miratimin e tij kërkon të përforcojë mesazhin e Shqipërisë për angazhim të pakthyeshëm në integrimin evropian, duke rritur besueshmërinë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, gjithashtu të reduktojë riskun e përfshirjes së sistemit financiar shqiptar në skema pastrimi parash , të rris nivelin e transparencës dhe të kontrollit financiar, si dhe të mbrojë të drejtat e njeriut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu