Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë vënë në pranga shtetasin Ç. B., 42 vjeç, banues në fshatin Vrakë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka tentuar të largohet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, policia referoi materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal ndaj shtetasit E. G., 36 vjeç, banues në fshatin Bogë, i cili u kap duke transportuar 3 m³ lëndë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme. Lënda drusore u sekuestrua si provë materiale.

Ndërkohë, Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko–Financiare kanë referuar materialet në Prokurori për shtetasit:

  • E. H., 35 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve” dhe “Mashtrimi”, pasi dyshohet se më datë 17.09.2025, përmes mashtrimit, ka blerë një numër telefoni në një kompani celulare duke falsifikuar nënshkrimin e shtetases M. D.. Numrin e ka përdorur më pas për të hapur një llogari në Instagram. Aktualisht, E. H. ndodhet në paraburgim në Lezhë për një tjetër vepër penale.

  • M. L., 20 vjeçe, banuese në Shkodër, për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”, në cilësinë e operatores së kompanisë telefonike, pasi ka regjistruar numrin e shitur në emër të shtetases M. D., duke përdorur formularin e firmosur nga E. H. Për këtë rast është bashkëpunuar edhe me stafin e emisionit investigativ “Piranjat”.

Po ashtu, Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë nisur procedimin në gjendje të lirë për shtetasin Z. Gj., 77 vjeç, banues në fshatin Hot i Ri, i cili u kap duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi.

Ndërkohë, më datë 22.10.2025, shtetasi A. P., 41 vjeç, banues në fshatin Bushat, ka kallëzuar në polici se më datë 04.10.2025 është larguar nga banesa bashkëshortja e tij, E. P., 35 vjeçe. Policia po punon për gjetjen e saj.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu