Tetori konsiderohet si muaji rozë për ndërgjegjësimin në luftën kundër kancerit të gjirit. 

Në një postim në rrjetet sociale kryeministri Edi Rama i bën apel grave dhe vajzave të bëjnë mamografinë falas.

“Mirëmëngjes dhe në këtë Tetor Rozë, me thirrjen e vazhdueshme për të bërë mamografinë falas, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Ndërkohë atletja Luiza Gega në videon e shpërndarë nga kreu i qeverisë thekson rëndësinë e vizitave dhe bërjen e mamografisë.

“Tetori rozë , është një kujtesë për të gjitha ne se shëndeti është gara më e rëndësishme që mund të fitojmë. Asnjë fitore nuk ka kuptim pa kujdesin për veten. Kontrolli i gjirit është një hap i vogël që mund të shpëtojë jetë. Kujdesu për veten, vrapo për jetën”, shprehet atletja Luiza Gega.

Peshëngritësja Enkileda Carja gjithashtu bën thirrje që të bësh kontrollin e gjirit, pasi një vizitë sot mund të shpëtojë nga një peshë e rëndë nesër.

“Tetori rozë na kujton forca nuk është fizike, por forcë që përballesh me frikën të mos anashkalosh shëndetin, të kujdesesh për trupin që të mban në këmbë çdo ditë, një kontroll i vogël sot mund të shpëtojë nga një peshë e rëndë nesër”, thotë peshëngritësja Enkileda Carja.

Edhe boksierja Esmeralda Novruzaj thekson se kontrolli i rregullt për gjirin është një raund që secila nga gratë duhet ta fitojë.

“Tetori është muaji që kujtojmë që forca nuk matet vetëm në ring por edhe me guximin për t’u kujdesur për vete. Kanceri nuk njeh moshë, profesion apo stil jete, prandaj kontrolli i rregullt është një raund që secila duhet ta fitojë. Mos e shty, mos e neglizho, fuqia e vërtetë qëndron në parandalim dhe dashuri ndaj vetes”, thotë Esmeralda Novruzaj.

Në mbarë botën, kanceri është një nga tre shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme tek gratë nën moshën 70 vjeç ndaj qëllimi i kryerjes së analizave është parandalimi i hershëm i sëmundjes dhe për rritja e mundësive për një shërim të plotë të gruas.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu