Më 17 tetor, sheshi Skënderbej do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mbështetje të gjerë gjen kjo protestë nga qeveria shqiptare. Report Tv mëson se pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë kryeministri Edi Rama, kreu i grupit socialist Taulant Balla, ministra e deputetë.
Ndonëse organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i kërkoi edhe Partisë Demokratike t’i bashkohet në protestë, nga selia blu përgjigja është negative. Në një reagim për gazetaren Danjela Maloku, PD thotë se arsyeja pse nuk do të marrë pjesë është prania e kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas demokratëve, është autor i një sërë goditjesh ndaj Kosovës.
“Ne e konsiderojmë Luftën e UÇK një luftë çlirimtare të një populli të pushtuar. I konsiderojmë të pafajshëm krerët e UÇK dhe shpresojmë e lutemi për pafajësinë e tyre. Por ne nuk mund të jemi bashkë me kreun e Narkos që i ka futur thika pas shpine Kosovës sa herë që i është dhënë mundësia, me atë që Kosovës i vendosi sanksione kur asnjë vend tjetër s’e sanksiononte. Ne nuk mund të jemi bashke me atë që Veriun e Kosovës e quajti “Tokë e Askujt”. Ne nuk mund të jemi bashkë me vëllain e Vuçiçit që për makiazh të imazhit të tij antishqiptar tenton të përdorë Luftën e UÇK e krerët e saj”,- thuhet në reagimin e PD-së.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të Partisë Sosocialiste, Taulant Balla, tha se të premnten të gjithë shqiptarët duhet të jenë bashkë në qendër të kryeqytetit, përtej ndasive partiake dhe bindjeve politike.
“Të dashur qytetarë të Tiranës dhe Shqipërisë, ne shqiptarëve na karakterizon atdhedashuria dhe solidariteti dhe të jemi të gjithë së bashku të premten në sheshin Skënderbej për të dërguar një mesazh solidariteti ndaj 4 komandantëve të UÇK, por edhe të gjithë gjakut të UÇK të rënë në betejë”,- tha Balla.
Nga qeveria në detyrë e Kosovës, për momentin mbizotëron heshtja. Ndërkohë presidentja e Kosovës e pyetur nga mediat vendase, tha se e mbështet protestën, por pa e specifikuar nëse do të jetë e pranishme.
“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe agresori i vetëm është Serbia”, theksoi Osmani.
Më herët, kreu i organizatës së Veterantëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati tha në Report Tv se para shqiptarëve do të flasë ish-presidenti Alfred Moisiu, Ali Ahmeti, vetë Gucati, si edhe familjarët e një dëshmori nga Shqipëria që ka rënë në tokën e Kosovës.
Protestë e ngjashme u zhvillua edhe në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.