Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj vrasjes së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje gjatë shpalljes së një vendimi gjyqësor.

Në një rezolutë të miratuar në mbledhjen e saj në Baku, EAJ dënon ashpër këtë akt tronditës dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të gjyqtarit.

Shoqata thekson se vrasja ndodhi në një kontekst shqetësues për drejtësinë në Shqipëri, ku sistemi gjyqësor është i dobësuar për shkak të mungesës së gjyqtarëve pas procesit të vettingut, ndërsa gjyqtarët janë bërë objekt i sulmeve publike nga figura të larta politike. Këto sulme përfshijnë fyerje personale, denigrim në media dhe publikimin e fotove të gjyqtarëve në rrjetet sociale.

REZOLUTË mbi situatën aktuale në Shqipëri

1. Në mbledhjen e saj të mbajtur në Baku më 14 tetor 2025, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) u informua nga anëtari, Unioni Shqiptar i Gjyqtarëve, për vrasjen e fundit të një gjyqtari në Gjykatën e Apelit në Shqipëri, Astrit Kalaja, i cili u qëllua për vdekje ndërsa po shpallte një vendim gjyqësor.
Delegatët e pranishëm u tronditën thellë nga kjo ngjarje dhe shprehën ngushëllimet e tyre të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e gjyqtarit.

2. Delegatët gjithashtu u shprehën jashtëzakonisht të shqetësuar për rrethanat në të cilat ndodhi ky akt tragjik.
Përveç faktit që sistemi gjyqësor është nën presion si pasojë e mungesës së gjyqtarëve pas procedurave të rivlerësimit (vetingut), gjyqtarët janë bërë së fundmi objekt i sulmeve publike fyese në media nga figura të larta politike.
Këto sulme kanë shkuar deri në veçimin e gjyqtarëve individualë për fyerje dhe denigrim personal, përfshirë publikimin e fotografive të tyre në llogari të mediave sociale.
Thirrjet e përsëritura të Unionit Shqiptar të Gjyqtarëve dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor për t’i dhënë fund këtyre sulmeve publike ndaj anëtarëve të gjyqësorit nuk janë marrë parasysh, dhe si pasojë besimi i publikut në sistemin gjyqësor vazhdon të dëmtohet, ndërsa gjyqtarët detyrohen të punojnë në një mjedis armiqësor publik.

3. Papranueshmëria e një sjelljeje të tillë është e vetëkuptueshme.
Standardet evropiane janë të qarta:
(i) “Ndërsa kritika objektive ndaj gjykatave dhe vendimeve të tyre është e lejueshme, nuk është e pranueshme që pushtetet e tjera të shtetit të kritikojnë gjyqësorin në një mënyrë që minon pavarësinë e tij, autoritetin gjyqësor ose besimin publik në gjyqësor, dhe që nxit mosbindje apo edhe dhunë ndaj gjyqtarëve.”
(ii) “Pushtetet ekzekutive dhe legjislative kanë detyrimin të ofrojnë çdo mbrojtje të nevojshme dhe të mjaftueshme kur funksionet e gjykatave rrezikohen nga sulme fizike ose nga frikësime të drejtuara ndaj anëtarëve të gjyqësorit.”

4. Për rrjedhojë, Shoqata Evropiane e Gjyqtarëve (EAJ) i bën thirrje Qeverisë së Shqipërisë:
* të garantojë respektimin e plotë të pavarësisë së gjyqësorit;
* të ndalojë kritikat e pajustifikuara, si dhe kërcënimet dhe sulmet ndaj gjyqtarëve; dhe
* të ndërmarrë masa efektive për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e gjyqtarëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu