Lirimi i hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme vijon në të gjithë vendin.
Ky operacion i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”, i cili synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
“Vijojmë”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, teksa ndau sot pamje nga këto ndërhyrje.
E konceptuar si një ndërhyrje sistematike në terren dhe jo një aksion i përkohshëm, kjo nismë, e cila ka nisur nga zbatimi në muajin korrik, po vijon me prioritet në gjithë territorin e vendit.
Për goditjen e fenomenit të ndërtimeve pa leje, në Kodin e ri Penal parashikohen ndëshkime më të ashpra.
Ndërkohë, një tjetër mekanizëm, që do të jetë në funksion të subjekteve private, do të jetë Rregullorja e re Kombëtare, ku do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojnë bizneset.
Po ashtu, në dispozicion të qytetarëve të cilët duan të denoncojnë rastet abuzive është vënë në dispozicion Portali “Hapësiraimepublike.gov.al”.
Deri më sot në këtë portal janë raportuar 13 269 raste, nga të cilat janë zgjidhur 9 805 raste, ndërsa 3 464 të tjera janë aktualisht në proces shqyrtimi.