Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin e tij për barnat tumorale, ka zbuluar një sërë shkeljesh serioze te Fondit te Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, i cili ka dështuar të garantojë furnizimin e qëndrueshëm me barna antitumorale për pacientët onkologjikë. Në dokument thuhet qartë se Fondi nuk ka lidhur kontrata për 39 barna jetike që gjenden në Listën e Rimbursimit të vitit 2024.
“Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk ka lidhur kontrata me importues për 39 barna të përfshira në Listën e Rimbursimit 2024, çka ka sjellë mungesë të këtyre barnave në treg dhe vështirësi në mbulimin e nevojave të shërbimit spitalor publik”, duhet në dokument.
Ky fakt konsiderohet shkelje e detyrimeve ligjore të Fondit, që duhet të sigurojë kontrata të rregullta për çdo bar të rimbursueshëm, në mënyrë që pacientët të mos mbeten pa trajtim. KLSH thekson se monitorimi i kontratave të lidhura është kryer “në mënyrë selektive dhe pa plan të strukturuar”, duke lënë pa ndëshkim shumë kompani që nuk kanë respektuar afatet e furnizimit.
“Sektori i Kontrollit të Depove Farmaceutike ka kryer kontrolle dhe monitorime në mënyrë selektive, duke cënuar efektivitetin e mekanizmave të mbikëqyrjes kontraktuale dhe garantimit të furnizimit të pandërprerë të barnave të domosdoshme”, shprehet KLSH.
Në disa raste, si me kompaninë Megapharma, janë vendosur gjoba simbolike, vetëm 1 milion lekë, për mungesa të përsëritura të 2 barnave te rendesishme per te semuret me kancer. Fondi, sipas audituesve, raporton rritje të konsumit të barnave antitumorale, por kjo rritje është vetëm nominale, jo reale.
“Në terma nominalë, konsumi i barnave tumorale është rritur me 24% në vitin 2024 krahasuar me 2021, megjithatë auditimi konstaton mungesë të furnizimit të qëndrueshëm dhe moslidhje të kontratave për një numër të konsiderueshëm barnash”, thuhet në raport.
Në praktikë, kjo do të thotë se fondi ka shpenzuar më shumë para, por pacientët kanë marrë më pak ilaçe.
“FSDKSH nuk ka realizuar shkëmbim periodik të të dhënave me QSUT-në dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave për të garantuar furnizimin në kohë dhe monitorimin e cilësisë së produkteve”, sqaron KLSH.
KLSH e konsideron Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si një nga hallkat më të dobëta të zinxhirit institucional që duhet të sigurojë barnat jetike. Sipas auditimit, fondi nuk ka përmbushur rolin e tij ligjor për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të barabartë me barna antitumorale, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për pacientët dhe dëm financiar për buxhetin publik.