Gerti Palali është prezantuar si Drejtor i ri i Teatrit “Migjeni” në Shkodër, në një takim me trupën dhe punonjësit e këtij institucioni, në prani të drejtuesve të Zyrës së Kulturës pranë Bashkisë Shkodër.
I diplomuar në Universitetin e Arteve në Tiranë, Palali ka spikatur në skenën shqiptare si aktor, regjisor dhe producent, duke realizuar një sërë shfaqjesh teatrale e filmike të vlerësuara me çmime në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai ka bashkëpunuar më parë me Teatrin “Migjeni”, duke njohur nga afër skenën dhe trupën e tij, çka e pajis me një përvojë të çmuar për drejtimin e këtij institucioni.
Gjatë fjalës së tij para trupës dhe stafit, Palali u shpreh se është një nder dhe një përgjegjësi e madhe të jetë në drejtim te Teatrit ‘Migjeni’ dhe se së bashku me trupën dhe gjithë punonjësit do të punojë që këtij teatri t’i jap një dimension të ri dhe një vizion bashkëkohor.
Gerti Palali ishte një nga të rinjtë që iu përgjigj thirrjes së hapur të Bashkisë Shkodër për të kontribuar në qytetin tonë, duke sjellë energjinë dhe pasionin e tij në shërbim të kulturës.
Energjia, vizioni dhe përvoja e tij pritet të sjellin një frymë të re, duke e kthyer Teatrin “Migjeni” në një qendër edhe më të fuqishme të kulturës dhe artit.