Reshjet e para të borës kanë mbërritur më herët këtë vit, por Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve kanë ndërhyrë menjëherë për të garantuar qarkullimin e sigurt në akset kombëtare.

Pavarësisht se sezoni zyrtar i mirëmbajtjes dimërore nis më 15 nëntor, mjetet borëpastruese dhe skuadrat e punës kanë qenë në terren që në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonat me reshje, në aksin Ura e Zapodit–Shishtavec dhe në Theth.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vlerësoi reagimin në kohë të strukturave të ARRSH-së dhe theksoi se gatishmëria do të vijojë pa ndërprerje për t’iu përgjigjur çdo situate të mundshme.

“Bora e parë ka ardhur herët këtë vit. ARRSH dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve kanë qenë plotësisht të përgatitura, pavarësisht se mirëmbajtja dimërore nis më 15 nëntor sipas rregullores. Mjetet borëpastruese dhe skuadrat e punonjësve kanë qenë në terren që prej orëve të para të ditës së sotme në aksin Ura e Zapodit–Shishtavec dhe në Theth. Qarkullimi vazhdon normalisht në të gjitha akset nacionale”, theksoi Balluku.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë apelon për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve, veçanërisht në zonat malore, dhe rikujton se rrugët nacionale janë nën monitorim të vazhdueshëm për të garantuar sigurinë rrugore dhe qarkullimin pa probleme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu