Tre komisione të tjera parlamentare nisën punë këtë të mërkurë, 2 prej të cilëve nën drejtimin e opozitës. Mbledhjet e para kishin qëllim konstituimin e tyre dhe miratimin e kalendarit, por u shfrytëzuan nga Ina Zhupadhe Luçiano Boçi që janë kryetarë të dy komisioneve, për të akuzuar qeverinë.
“Vota e diasporës, në thasë të gatshëm, të adresojmë këtë problem në komisionin tonë. Shtuat diasporën në 12 vite, puna e komisioneve më e rëndësishme”, tha Ina Zhupa.
“Qeveria po nxit axhendë edukimi kundër gjinisë dhe familjes. Të rinjtë po largohen sepse arsimi është në kuotat më të ulta. 160 mijë nxënës më pak që nga nisja e qeverisë Rama, shkumsi bën kërdinë, nuk është shkollë digjitale”, deklaroi Luçiano Boçi.
Por ky hov i demokratëve për të mos humbur asnjë rast për të bërë politikë opozitare, u pre nga një tjetër deputete demokrate.
“Reflektohuni, pimë një kafe, njohim njëri-tjetrin, miratojmë kalendarin dhe e mbyllim këtë punë”, tha Jozefina Topalli.
Mes opozitarëve pati edhe nga ata që gjetën aleancë me zërat kritikë brenda vetë mazhorancës.
“Përshëndes reagimet e Braçes, fëmijë me dy turne, ku shkojnë fëmijët që mbarojnë në orën 11:30? Bëhen kulla por jo shkolla”, tha deputetja e PL, Erisa Xhixho.
Në komisionin e tretë, atë për Çështjet e Brendshme dhe Mbrojtjen, që drejtohet nga socialisti Bledi Çuçi, u bënë thirrje për bashkëjetesë.
“Të shmangim bisedat parazitare. Nuk do marrim rolin e policit, prokurorit apo gjykatësit”, tha Bledi Çuçi.
Parlamenti ekziston për opozitën, mos paragjykoni propozimet tona”, u shpreh deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri.