Forcimi i bashkëpunimit me organizatat policore dhe ato të zbatimit të ligjit, domosdoshmëri për të luftuar krimet globale.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, gjatë ditëve të Konventës së Shefave të Policisë Evropiane (EPCC) të vitit 2025, që u mbajt në Holandë, zhvilloi një sërë takimesh me delegacionet pjesëmarrëse në këtë konventë.
Pas takimit të frytshëm me Drejtoreshën e Europolit, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Departamentit të Policisë Kriminale Neritan Nallbati, u takua me delegacionin amerikan në Europol, që kryesohej nga znj. Julia P. Sweeney, Zëvendës Ndihmëse Sekretare dhe Ndihmës Drejtore e Shërbimit Diplomatik të Sigurisë për Operacionet; me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Kolumbiane; me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Spanjolle; me Drejtorin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Policisë së Emirateve të Bashkuara Arabe si dhe me përfaqësues të Policisë Japoneze.
Gjatë takimeve, Drejtor Proda u fokusua te forcimi i bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit në kohë reale dhe pa rezerva, si dhe te intensifikimi i operacioneve kundër migracionit të paligjshëm dhe krimit të organizuar. Ai njohu delegacionin amerikan dhe homologët me prioritetet e tij në drejtimin e Policisë së Shtetit, duke theksuar se një nga objektivat kryesorë është thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar me partnerët strategjikë, policitë homologe dhe agjencitë e zbatimit të ligjit, si mundësia më e mirë për sukses ndaj sfidave me të cilat përballen strukturat policore në të gjithë botën.
Proda: “Policia e Shtetit shqiptar, kohët e fundit, ka treguar profesionalizëm, përkushtim dhe besueshmëri përgjatë qindra operacioneve të zhvilluara me partnerët dhe në koordinim nga Europol, Interpol dhe organizatat e tjera ligjzbatuese që merren me çështjet policore. Te Policia e Shtetit shqiptar do të gjeni përherë dëshirë për bashkëpunim dhe angazhim maksimal për të shtuar skuadrat e përbashkëta hetimore dhe ato operacionale, sepse vetëm duke bashkëpunuar pa rezerva, ne i bëjmë një shërbim të madh dhe të vyer qytetarëve dhe sundimit të ligjit.”
Zyrtarët amerikanë dhe përfaqësuesit e delegacioneve falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm Ilir Proda për gatishmërinë dhe angazhimin e tij personal për një bashkëpunim pa rezerva mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë. Ata e siguruan se edhe në të ardhmen ky bashkëpunim do të thellohet, pasi tashmë Policia e Shtetit ka fituar besueshmërinë e partnerëve dhe ka treguar profesionalizëm e angazhim maksimal në operacionet dhe hetimet e përbashkëta, sepse krimet janë globale dhe është domosdoshmëri bashkëpunimi.
Gjithashtu, gjatë takimeve, Drejtor Proda theksoi se është një mundësi e mirë, në interes të forcimit të bashkëpunimit dhe të zbatimit të ligjit, që Europol të koordinojë operacionet dhe shkëmbimin e informacionit ndërmjet policive të vendeve anëtare të BE-së, në luftën kundër migracionit të paligjshëm, me qëllim identifikimin dhe goditjen e grupeve kriminale, kudo që ato ushtrojnë aktivitetin e tyre.