20-vjeçari Roseljo Arifi është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga policia në shëpinë e tij në Shkodër i dyshuar si organizator i një grupi kriminal që trafikonin armë nga Shqipëria në drejtim të Anglisë nëpërmjet linjave direkte të autobusave. Arifi së bashku me dy të tjerë, Jurgen Susa dhe Segest Meti, të arrestuar ditën e djeshme, u zbuluan një ditë më parë teksa drejt Anglisë kishin nisur një televizor, brenda të cilit kishin fshehur një armë zjarri të çmontuar së bashku me silenciator.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 vunë në pranga shtetasi: R. A., 20 vjeç, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Metoda”. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasit J. S. dhe S. M. (të arrestuar ditën e djeshme), kanë tentuar të trafikojnë një armë zjarri, të cilën e kishin ndarë në pjesë të fshehur brenda një televizori, me qëllim dërgimin në Angli”, njoftoi policia ditën e sotme.Policia ka marrë në pyetje 2 të arrestuarit e tjerë, Jurgen Suca dhe Segest Meti, të cilët deklarojnë se kanë qenë në dijeni për dërgimin e armëve, por përgjegjës bëjnë të tretin, Roseljo Arifi, i cili sipas tyre i ka thirrur për të kryer veprimtarinë e trafikut. Policia u ka sekuestruar të dyve celularët, ku janë gjetur biseda të shumta të tyre me Arifin ku diskutohet për dërgimin e pistoletave jashtë në Britani të Madhe, foto të armëve dhe diskutime për shitje.
Dyshohet se të njëjtën veprimtari e kanë kryer edhe më herët, të paktën edhe 3 apo 4 herë, kryesisht përmes dërgimit të monopatinave.
Si u zbulua skema kriminale
Komisariati nr. 3 në Tiranë u njoftua një kompani transporti Shqipëri-Angli, e cila dërgon pako dhe porosi nga shqiptarët te familjarët e tyre, se në Shkodër morën një porosi të dyshimtë, një televizor. Pasi blutë kryen kontrollin, u zbulua se brenda saj ishte një pistoletë me selenciator, e ndarë në pjesë.
Përfaqësuesit e kompanisë i thanë policisë së të vetmen gjë që dinin dhe mbanin mend nga njerëzit që e sollën ishte targa e makinës, që iu vu në dispozicion policisë. Më tej, ata deklaruan se u kontaktuan në telefon përmes një numri finlandez nga Roseljo Arifi, 20-vjeçari, tashmë i arrestuar.
Identifikimi i tyre u bë më pas përmes këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë në Shkodër, në vendin ku ishte dorëzuar televizori. /shqiptarja.com