Kryeministri Edi Rama prezantoi sot z. Besfort Lamallari si Ministrin e ri të Drejtësisë. Në një takim me administratën e Ministrisë, kryeministri theksoi rëndësinë e kalimit të stafetës në një moment kyç për Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ministri Lamallari pritet të udhëheqë me përkushtim dhe integritet proceset reformuese që prekin thelbin e drejtësisë shqiptare. Roli i tij do të jetë vendimtar në garantimin e një drejtësie të pavarur dhe funksionale si themel i shtetit të së drejtës dhe i të ardhmes europiane të vendit.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Përshëndetje dhe faleminderit për praninë tuaj!
Ky është një kalim stafete që për mua ka një lloj emocioni apo të themi ndjesie të veçantë pasi sot merr detyrën shumë sfiduese të ministrit të Drejtësisë, një nga shërbëtorët më shembullor të shtetit shqiptar që më është dhënë mundësia mua të njoh edhe pse në këtë rast jo nga afër, por ministri i ri rejtësisë e ka nisur rrugëtimin e tij me studime brenda e jashtë vendit dhe pastaj i ka ngjitur shkallët një e nga një me një angazhim dhe një përkushtim shembullor në çdo detyrë që i është besuar dhe uroj dhe besoj që me mbështetjen e ekipit të kësaj ministrie dhe në bashkëpunim dhe ndërveprim me të gjithë punonjësit, drejtuesit e institucioneve të varësisë Besforti do t’ia dalë të çojë përpara një punë të nisur prej vitesh tanimë dhe të vazhduar nga ministri i deritanishëm Ulsi Manja.
Natyrisht që në kushte kur ne kemi marrë përsipër një transformim epokal të marrëdhënies të pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ri dimensionuar, por kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar apo që pesha që Ministria e Drejtësisë ka në të gjitha proceset vendimmarrëse apo në proceset e shtet bërjes europiane të Shqipërisë është zvogëluar. Jo!
Në të vërtete edhe roli dhe pesha e Ministrisë së Drejtësisë janë po aq të rëndësishme sa kanë qenë dhe mbi të gjitha detyrimi që ka Ministria e Drejtësisë për të mbajtur në mënyrë konstante busullën orientuese për të gjitha proceset vendimmarrëse është një detyrim shumë i madh. Ndërkohë që, siç e dini dhe ju territori i mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar është territori që zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave të anëtarësimit dhe është shumë e rëndësishme që në të gjithë të përditshmen tonë dhe tuajin si skuadra e Ministrisë së Drejtësisë, ne të mos e humbim nga vëmendja thelbin e misionit tonë në raport me drejtësinë, që është të garantojmë dhe të konsolidojmë garancinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutivi në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur dhe në realitet. Është një pavarësi që është larg së qeni e garantuar përgjithmonë dhe që jemi ne pikërisht që duhet ta garantojmë dhe konsolidojmë në këtë fazë duke këmbëngulur në atë vendim historik që kemi marrë për të mbajtur duart larg vendimmarrjeve të prokurorëve dhe gjykatësve. Është fakt që ne nuk kemi hyrë në asnjë rast dhe për asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeje me të cilën është marrë drejtësia dhe nuk duam ta bëjmë këtë dhe nuk do ta bëjmë këtë as sot dhe as nesër, aq më tepër në rastet kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e vet.
Unë besoj që kjo ri kujtesë është shumë e rëndësishme për të gjithë ju, edhe për pjesën e drejtimit politik të Ministrisë, por dhe për pjesën e shërbimit civil të Ministrisë sepse ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare edhe diferencën, a do të jetë Shqipëria një vend anëtar i BE me një drejtësi të pavarur si në çdo vend të BE, të garantuar një here e mirë apo do të bjerë Shqipëria në tundimin e kthimit mbrapa duke vënë në rrezik edhe vetë anëtarësimin në BE dhe këtu nuk është çështja që nuk duhet në asnjë mënyrë që të lejojmë që të bjerë Shqipëria në tundimin e kthimit mbrapa për shkak të BE, por për shkak të ardhmërisë tonë sepse largimi i duarve të pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, nga çdo proces seleksionimi, nga çdo proces përzgjedhjeje, nga çdo proces promovimi, nga çdo proces shkarkimi i prokuroreve dhe gjykatësve është një premisë e domosdoshme për të garantuar një drejtësi funksionale demokratike të pavarur për të ardhmen e vendit tonë dhe për gjeneratat e tjera dhe mundësisht për të nesërmen e gjeneratës më të re që këtu në Ministrinë e Drejtësisë është shumë e pranishme.
Jo për Brukselin as për Berlin apo Parisin, por natyrisht që ai objektiv nuk e ka rastësisht të mishëruar brenda domosdoshmërinë e një drejtësie të pavarur, e ka pjesë të thelbit të vetë sepse tek drejtësi bëhet dallim i madh, pastaj midis një hapësirë me liri dhe me të drejta demokratike të garantuara dhe një hapësirë ku liritë dhe të drejtat demokratike janë relative dhe gëzimi ose jo i tyre varet nga rrethana jashtë frymës dhe gërmës së kushtetutës dhe të ligjit.
Prandaj, përtej të gjitha problematikave, sepse ju jeni këtu, keni të gjitha kapacitetet profesionale, po një farë mënyre, edhe për shkak të detyrës, jeni më të vëmendshëm dhe i shihni nga afër zhvillimet e këtij procesi pavarësie dhe i shihni nga afër edhe të gjitha vështirësitë që materializohen edhe në dhimbje të mëdha, dhimbje të mëdha si rezultat i shkeljes së lirive, i shkeljes së të drejtave, i shkeljes së frymës dhe të germës së Kushtetutës në një proces që është një proces lindjeje i vështirë, sepse nuk është absolutisht e thjeshtë që të lindë dhe të marrë formë dhe të rritet krijesa e një drejtësie të pavarur në një “shtrat të përgjakur” dhe të ndotur prej 100 e kusur vitesh të një drejtësie që s’ka qënë kurrë as e lirë, as e pavarur, as e paanshme, po ka qenë gjithmonë mashë e interesave të pushtetit politik.
Por ne kemi bërë zgjedhjen tonë dhe nuk ndryshojmë në këtë pikë. Nuk ndryshojmë dhe jeni të detyruar që këto lloj dhimbjesh, që ndryshe nga ju, këtu flas për shërbimin civil, na bie të përjetojmë si pjesë edhe të qënies tonë politike, qoftë kur dikush ndër ne mëkaton për përfitime të paligjshme, qoftë kur mëkaton drejtësia e pavarur, duke përdorur disproporcionalisht forcën. Ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër, asnjë zgjidhje tjetër, asnjë rrugë tjetër.
Ndërkohë që çfarë duhet të vazhdojmë të bëjmë bashkarisht, është të përmirësojmë standardet, gjë që për shembull materializohet në punën e madhe që e pret Ministrinë e Drejtësisë për t’i dhënë formën përfundimtare versionit zyrtar që qeveria do të çojë në parlament për Kodin Penal, për Kodin e Procedurës dhe për Kodin Civil, po ashtu. Janë libra themeltarë, po themi të një sistemi drejtësie, të cilëve i ka ardhur koha të rishikohen me themel dhe duhet ta vlerësojë dhe ta çmojë punën e ministrit në aspektin e koordinimit të këtij procesi dhe në garantimin e një hapësire ku faktikisht qeveria është thjesht një nga shumë palët, ndërkohë që shkruesit e draftit të kodit janë profesorë dhe ekspertë të nderuar të të Drejtës Penale.
Nga ana tjetër, Ministria ka një barrë shumë të madhe në procesin e negociatave të anëtarësimit dhe është pozitive që në krye të Ministrisë vjen një ndër negociatorët tanë më të dalluar në procesin e negociatave, i cili natyrisht ka mbuluar atë pjesë të llogores së negociatave që i përkiste Ministrisë së Brendshme, por këtu ka kapacitete dhe këtu janë edhe sfidat që lidhen drejtpërdrejt me themeloret. Përtej kësaj, Ministria e Drejtësisë ka edhe plotë sfida të tjera që lidhen me sistemin penitencar të Republikës të Shqipërisë me gjithë problematikat dhe me nevojat e atij sistemi, ku është bërë një punë e jashtëzakonshme, po ku siç e kam thënë edhe për sektorët e tjerë, nuk duhet të na interesojë ça është bërë, por do të na interesojë se çfarë do bëhet dhe mundësitë janë që të bëjmë shumë dhe të bëjmë mirë, dhe shumë më mirë, patjetër, sepse edhe kapacitetet janë zhvilluar, edhe burimet financiare janë shtuar edhe fatmirësisht ambicia dhe dëshira nuk kanë rënë, po janë edhe më të mëdha sot.
Kështu që pa dashur të bëj një fjalim të gjatë dhe pa dashur të hyj më shumë nëpër detaje që ju i dini më mirë se unë, dua t’ju them që suksesi ynë varet shumë nga kontributi dhe cilësia e kontributit të secilit dhe secilës prej jush këtu në Ministrinë e Drejtësisë dhe në çdo ministri tjetër.
Negociatat për anëtarësim ne na kanë, të paktën unë flas për veten time, na kanë vënë para syve një realitet që nuk e njihnim siç duhej, realitetin e një fuqie profesionale të konsiderueshme në administratën tonë publike. Sepse ballafaqimi me Brukselin nuk të lë të fshihesh, as të mundëson që të bësh makijazh, di apo s’di, e bën apo s’e bën dhe që afro 1000 vajza, djem, gra, burra të shërbimit tonë civil dhe të institucioneve, patjetër edhe institucione të tjera, se s’është vetëm qeveria, të përballeshin me procesin e skanimit të situatës dhe të çonin në çeljen e negociatave, duke marrë duartrokitje nga Brukseli kjo ishte një surprizë shumë e mirëpritur me thënë të drejtën. Ndërkohë që frika ime më e madhe ishte që ça do bëjmë ne në momentin kur do hapen negociatatat, se do lëmë nam, që do të thotë që edhe unë personalisht isha i influencuar nga gjithë thashethemnaja e përditshme dhe nga e gjithë marrja nëpër gojë dhe fjalët e pamerituara që qarkullojnë pa pushim nëpër gjithë kanalet e infektuara të informacionit për administratën tonë. Patjetër që administrata jonë ka probleme, por që administrata jonë e nivelit të parë, të dilte nga një proces ku vendet e tjera, ka pasur vende që kanë dalë shumë mirë, ka pasur vende që s’kanë dalë mirë, pra nuk është se të gjithë aty dalin mirë dhe të dilte me duartrokitje realisht, kjo është një arsye shumë e fortë për t’u ndjerë të motivuar dhe për të pasur bindjen që mund të bëjmë shumë më tepër dhe mund të bëjmë shumë më mirë, sepse edhe aty të gjithë ata që morën pjesë u sfiduan fort, ishte një provim sfidues edhe e kapërcyen me sukses këtë lloj sfidimi të fortë, duhet t’ia bëjmë vetes çdo ditë, edhe duhet t’ia bëjmë njëri-tjetrit çdo ditë dhe duhet që administrimi i ministrive t’ia bëjë administratës çdo ditë për të marrë më shumë rezultat. Dhe besoj që kjo është plotësisht e mundur. Faleminderit për gjithçka bëni. Uroj që të gjeni forca për të bërë gjithçka që nuk bëni dhe për ta çuar punën përpara me sukses, në të gjitha drejtimet që kanë të bëjnë me ministrinë e Drejtësisë. Dhe tani po ia kaloj fjalën ministrit duke ndarë me ju një fakt, të paditur për mua dhe që e kam marrë vesh shumë vonë, që gjithsesi drejtimi i Ministrisë së Drejtësisë ka mbetur në Dibër.
***
Faleminderit, ministër dhe përpara se sa t’ia kaloj fjalën dhe ministrit të derisotëm, dua të theksoj 2-3 gjëra nisur nga çfarë u tha, lidhur me këto pikat kyçe, duke filluar nga, pikërisht inteligjenca artificiale, ku kjo ministri është si të thuash njëra nga vatrat e aktivitetit të inteligjencës artificiale, qoftë me transferimin e korpusit ligjor të BE-së në korpusin ligjor të Republikës së Shqipërisë, i cili falë Diellës po zhvillohet me një shpejtësi të panjohur me këtë proces, mjafton t’iu them, ju e dini, po meqë këtu nuk jemi vetëm po kemi dhe ata që na ndjekin që Kroacia e cila faktikisht shkëlqeu në procesin e negociatave, harxhoi 7 vjet për të bërë punën që Diella po e bën për më pak se dy vjet. Kaq e thjeshtë është diferenca, për të gjithë ata që nuk dinë ça flasin, por mbi të gjitha për të gjithë ju dhe për të gjithë administratën e ministrive që duhet të angazhohet shumë fort për ta çuar inteligjencën artificiale në çdo skaj të aktivitetit, paralelisht me transferimin e korpusit ligjor të BE që na jep mundësinë që ne të jemi dhe kaq ambiciozë për të mbyllur dhe negociatat në 2027, ku përveç reformave, angazhimeve dhe gjithë rezultateve të ne njerëzve na duhet pikërisht inteligjenca artificiale sepse fizikisht do të ishte e pamundur që 4 mijë e disa qindra ligje dhe akte nënligjore të nevojshme për plotësimin e kushteve teknike t’i bënim e përkthyes dhe me juristë njerëz.
Një armatë të tërë me të tillë ka angazhuar Kroacia dhe një armatë të tërë me të tillë kanë angazhuar të gjitha vendet. Ndërkohë që ne përkthyesit dhe juristët i kemi thjeshtë për të kontrolluar çfarë bën Diella dhe çdo ditë puna e Diellës bëhet më cilësore sepse modeli i inteligjencës artificiale është ky, sa më shumë fut, q më shumë mëson dhe nuk harron asgjë. Nuk i ndërhyn askush, nuk ja prish humorin asnjë, nuk fle gjumë, nuk thotë po shkoj të ha ose më hahet prandaj s’po punoj etj.
Dhe paralelisht eshtër projekti tjetër që kemi nisur me ministrin dhe që në fakt nuk është vetëm i ministrisë së Drejtësisë, por eshët i të gjitha ministrive por këtu e ka zemrën si të thuash dhe nëqoftëse këtu pulson fort zemra atëherë dhe gjithë qarkullimi i gjakut bëhet më i shpejtë.
Pastrimi i legjislacionit tonë nga mbivendosjet. Kemi një xhungël ligjesh dhe VKM që kundërshtojnë njëra tjetrën dhe që janë bërë në shumë vite asht siç papritur pa kujtuar pastaj na del që mund të jemi peng i ndonjë ligji të 56-ës megjithëse jetojmë në një sistem tjetër dhe këtë punë duhet ta çojmë përpara dhe do jetë një gjë e zakonshme që me njerëz nuk bëhet dot, që të hysh dhe t’i shohësh të gjitha mbivendosjet nëpër ligje dhe të pastrosh gjithë legjislacionin nga mbivendosjet. Por duhet të shkojmë dhe me tutje.
Menaxhimi i çështjeve gjyqësore që më në fund po hyjnë në rrugë dhe kjo nuk ishte me thënë të drejtën në përgjegjësinë tonë sepse kemi vendosur financim për atë projekt disa vjet me radhë dhe projekti nuk filloi për shkak se u ngatërrua pavarësia e gjyqësorit me pavarësinë e sistemit dhe ishte jashtëzakonisht e vështirë t’i bindje mendjet e pavarura në pushtetin gjyqësor që duhet të bënin projektin dhe duhet të bënin tenderin që nuk mund dot të krijonin një sistem digjital të mbyllur ndaj sistemeve të tjera. Drejtësia është e pavarur por nuk ka një rezervuar uji të pavarur, një ujësjellës të pavarur që i çon ujin në rubinet veç nga gjithë të tjerët. Merr ujë nga Bovilla, SPAK. Kjo nuk e pengon të jetë i pavarur nga konsumi i ujit. E hap dhe e mbyll kur të dojë. Ose dritat njësoj. KLGJ dritat i merr nga i njëjti sistem. Nuk mund të thotë meqë jemi të pavarur duam të bëjmë hidrocentralin tonë dhe të kemi panelet tona diellore sepse jemi të pavarur.
Ky ka qenë debati absurd dhe këto janë dhe sfidat e pavarësisë, a më kuptoni se kur dikujt i thua je i pavarur duhet ta përballosh edhe kur të sfidon jo ty, por kur sfidon çfarë e kanë zgjidhur të tjerë përpara dhe s’ka nevojë as ta diskutosh. Për me tepër një sistem menaxhimi i çështjeve gjyqësore që nuk ka akses në sistemet e tjera është i pa frytshëm ndërkohë që duhet të flasim me sistemet e tjera dhe ne këtë e kemi pasur sfidën e parë që të prishim kioskat në Shqipërinë digjitale, ju kujtohet Shqipëria digjitale. Ishte si Lana. Secili kishte kioskën e vet dhe kioskat nuk komunikonin me njëra tjetrën.
Dhe duhet te shkojmë dhe më tutje. Duhet të mendojmë për ndërmjetësimin me inteligjencë artificiale të çështjeve civile. Është plotësisht e mundur që njerëzit mos të harxhojnë lek, mos harxhojnë kohë, mos harxhojnë energji dhe të mos lënë mendtë e kokës në procese të pafundme kur fare mirë mund të kalojnë në procese të ndërmjetësimit të fëmijëve që Diella do ketë së shpejti dhe plot të tjera gjëra që duhet t’i shohim dhe duhet t’i bëjmë. Ajo që unë besoj fort dhe duhet ta ndajmë të gjithë bashkë këtë besim është që teknologjia digjitale dhe inteligjenca artificiale janë bekimi i vendeve ne zhvillim sepse na japin mundësinë që të bëjmë kapërcime të atilla që kurrë nuk do t’i bënim në kushtet e progresit linear. Si mund të bënim ne një kohë kaq të shpejt sa ç’na e mundësoi teknologjia dhënien e shërbimeve për qytetarët nëse nuk do kishim teknologjinë dhe s’do kishim platformën E – Albania? Parafytyrojeni për një moment Covidin dhe pa platformën E-Albania sesi do mundej dot që të shërbeheshin njerëzit pa dalë të gjithë në rrugë për të mbajtur radhën dhe në këtë kuptim këtu ka qenë Covid gjithë jetën.
Sot falë teknologjisë ne kemi një shërbim që vende të zhvilluara nuk e kanë, natyrisht ata kanë administrata shumë më të strukturuara, por ama nuk e kanë këtë dhe si kjo janë plot të tjera që ne mund t’i bëjmë me shumë më tepër shpejtësi.
Sot bëhet diskutim i madh, si ka mundësi, c‘është ky provokim, c‘është ky mëkat, c ‘është kjo çmenduri, ministër shteti jo njeri. Unë mendoj që ne një kohë shumë të shkurtër se c’ mund të imagjinojmë ministrat jo njeri në qeveri do jenë një normalitet. Do të vijë shumë shpejt. Ne mund ta bëjmë. Dhe mund të jemi të shpejtë dhe kurajoz në proceset që lidhen me inteligjencën artificiale për të arritur ti shërbejmë shumë më mirë publikut, për të arritur të jemi shumë më performues.
Diskutojnë sot si do vjedhë Diella sepse kur je hajdut, aty te rri mendja, si do vjedhë ai tjetri atë që ti do ta vjedhësh për vete por që nuk po të bie rruga andej. Si i shkon një njeriu normal mendja, mund të ketë 1000 pyetje për Diellen por nuk i shkon mendja si do vjedhë kjo. I shkon mendja vetëm atyre që ose kanë vjedhur ose vjedhin ose do vidhnin në rast se i caktonte njeri ne vend të Diellës.
Ndërkohë që ajo që Diella do të bëjë është shumë e thjeshtë, shumë, shumë e thjeshtë. Çfarë ndodh me tenderat dhe ku hyn korrupsioni në një proces tenderimi. Në dy faza, procesi ka dobësi; dobësi që i shfrytëzon korrupsioni.
Faza e parë janë termat e referencës që mund të bëhen të orientuara siç ishte një tender epik në kohën përpara se sa ne të merrnin detyrën në 2013, ku për të bërë një tunel, ishte vënë një kriter të ketë eksperiencë edhe në sisteme muzikore, në foni, edhe natyrisht, tuneli i shkon dikujt që ka instaluar foninë në ndonjë miting.
Pra, tek termat e referencës dhe e dyta, tek gjykimi mbi dokumentacionin. “Jo, nuk ma ke sjellë me vulë të freskët”, “Jo, s’më ke sjellë letrën në kohë se sa punonjës ke”, “Jo, ke sjellë me vonesë këtë, atë”.
Atëherë tek terma e referencës, Diella e bën të pamundur trajtimin me preferencial, të dikujt përmes referencave dhe për këtë, ne jemi duke, ne, domethënë ata që po merren me këtë, po punojnë.
E dyta, të gjitha dokumentet pafund që bëjnë kompanitë dhe mbledhin lart e poshtë për shkruar ndonjë tender janë fakte publike. Pra ekzistojnë në sistemin shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Sa punonjës ke? E kanë në Sigurimet Shoqërore, e kanë Taksat. Sa xhiro ke? Sa kështu ke? Sa ashtu ke? Sa makineri ke? Të gjitha këto janë dhe Diella do i mbledhin vetë. Nuk ka nevojë fare të shkojnë njerëzit lart e poshtë, edhe t’i mbledhin, bëjnë dosjet, pastaj del një anëtar komisioni edhe thotë: “Jo, nuk e ke me vulë të freskët”. Do ti mbledhi të gjitha vetë.
Pra, termat e referencës transparent dhe të barabartë dokumentacioni mblidhet në mënyrë uniforme për të gjithë dhe në fund është oferta. Oferta flet vetë, ashtu sikundër të gjitha ato kritere që janë kritere të cilësisë, askush nuk i gjykon dot më objektivisht se sa Inteligjenca Artificiale, bazuar te të gjitha këto dhëna që thashë, kaq e thjeshtë është, në të thënë, është shumë e komplikuar në të bërë. Gjitha arkitektura e sistemit tani është ndërtuar dhe tani do të ecet me implementimit. Do të duhen edhe disa bashkëpunëtorë të Diellës, jo njerëz prapë, që jemi shumë besimplotë, “Diella do t’i lindi në maternitetin e Inteligjencës Artificiale”. Kjo është e gjitha, nuk ka ndonjë shkencë të madhe.
Më falni se u zgjata me këtë pjesë, po thjesht për t’iu thënë që duket sikur flasim për fantazira dhe për filma fantastiko-shkencor, po kjo është reale dhe është po kaq reale, siç jemi real ne që jemi këtu dhe mjafton pak interesim, pak vëmendje, pak lexim për ta kuptuar se çfarë thesari është ky dhe çfarë kemi në dispozicion për të përmirësuar në mënyrë eksponenciale jetën e njerëzve, për të rritur në mënyrë eksponenciale parametrat e sigurisë; për shembull për sigurinë ushqimore dhe për sigurinë e të gjitha mallrave që vijnë nga importi dhe për sigurinë e cilësisë, ne përsëri me Inteligjencë Artificiale do të ndryshojmë komplet mënyrën se si do të kontrollojmë.
Kemi krijuar një kompani “AlbTrace” me partnerë, një ndër pesë kompanitë më të mira në botë të gjurmimit, pikërisht të mallrave, të produkteve dhe tani po ndërtojmë sistemin. E njëjta gjë për naftën, e kështu me radhë.
Faleminderit edhe Ulsi fjala e fundit, si zot shpie këtu.
Shumë faleminderit edhe një herë!Ju kam një borxh sepse ju kemi marrë 1 orë e pak të një dite pushimi. Të jeni të sigurtë që unë borxhet nuk i harroj asnjëherë. Faleminderit!