Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka nisur një hetim disiplinor ndaj prokurores së Shkodrës Elsa Gjeli, e cila u akuzua nga qeveria se nuk nisi hetim për një ndërtim pa leje në zonën e Thethit.
Përmes një letre, ILD ka njoftuar ministrin Manja se e ka arkivuar kërkesën e tij për hetim disiplinor pasi pas verifikimeve paraprake nuk ka gjetur asnjë element për ta bërë këtë.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Metani thotë se nuk konstatohen elementë të juridikë apo faktikë për të krijuar një dyshim të arsyeshëm për të nisur hetim ndaj Gjelit.
“Ju vëmë në dijeni se, Inspektori Lartë i Drejtësisë (ILD) pas shqyrtimit fillestar të ankesës tuaj, të regjistruar me nr. 2138 prot., datë 10.07.2025, ndaj veprimtarisë së magjistrates znj. Elsa Gjeli, prokurore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, si dhe referuar vendimit nr. 2138/3 prot., datë 15.07.2025 të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë “Për verifikimin pas shqyrtimit fillestar të ankesës dhe informacionit të marrë, ka konkluduar se, nuk konstatohen paraprakisht elementë juridikë apo faktikë të cilët i krijojnë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë një dyshim të arsyeshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj magjistrates znj. Elsa Gjeli me detyrë prokurore në Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër. Për këtë arsye, është vendosur arkivimi pas verifikimit të ankesës tuaj, bazuar në nenin 122, pika 4 të ligjit ar. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në mbështetje të nenit 119, pika 4 dhe nenit 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bashkëlidhur këtij njoftimi, ju lutemi, të gjeni një kopje të vendimit të arkivimit të ankesës
Në përputhje me nenin 122, pika 5 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ju keni të drejtë të ankimoni këtë vendim në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, brenda 1 (një) jave nga datá e marrjes së vendimit të arsyetuar”, thuhet në letrën e ILD-së.
Në argumentim të vendimit që newspower.al ka siguruar thuhet se akti i prokurores Gjeli përmbush gjithashtu në mënyrë të mjaftueshme standardin e arsyetueshmërisë së tij si një akt ligjor qoftë nga pikëpamja substanciale ashtu edhe ajo formale.
ILD thotë se nga ana e magjistrates Elsa Gjeli është analizuar fakti i referuar dhe është kryer analiza ligjore mbi elementët e figurës së veprës penale.
“Vlen të theksohet gjithashtu se mosfillimi i procedimit penal është kompetencë e prokurorit vendimmarrja e magjistrates është mbështetur specifikisht në një nga rastet e parashikuara në nenin 290 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe qëndrimi diskrecionar i prokurores në marrjen e një vendimi për fillimin/mosfillimin e procedimit penal”, thotë Metani në argumentim.
Nga ana tjetër Inspektori i Lartë i Drejtësisë e evidenton edhe faktin që ligji e parashikon të drejta e kontrollit gjyqësor ndaj vendimit të prokurorit për mosfillimin e procedimit penal dhe asnjë prej institucioneve të interesuara, IMT apo policia e Shkodrës nuk e kanë ankimuar vendimin e Gjelit.
“ILD në punën e tij udhëhiqet nga parimi i ndarjes së pushteteve si dhe respektimit të pavarësisë së magjistratit në ushtrimin e detyrës së tij, duke marrë masat për të shmangur çdo lloj perceptimi si ndërhyrje apo zgjidhje të çështjes konkrete. Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk mund të marrë atributet e një organi tjetër, sikundër është gjykata, e cila kontrollon veprimtarinë dhe vendimmarrjen e prokurorit dhe as të vlerësojë e aktet ndryshe nga sa i ka vlerësuar prokurori”, thotë ILD në argumentim.
Prokurorja Elsa Gjeli u kritikua ashpër nga kryeministri Edi Rama më 7 korrik, lidhur me një vendim mosfillimi të një çështjeje penale për ndërtimin pa leje, që u bë shkas për një operacion prishjesh në Theth. Rama i referohej një serie kabinash të ndërtuara pranë kishës së fshatit në Theth, si ‘fshat turistik’ i lidhur me një kriminel. /newspower.al