Dy objekte në të cilat banonin disa familje u përfshinë nga flakët nga një zjarr në rrugën Omaraj në qytetin e Shkodrës. Këto ndërtesa u dogjën plotësisht ndërsa rrezikuan edhe disa të tjera që ishin ngjitur me ta. Nga flakët e zjarrit nuk pati të lënduar në njerëz kjo falë edhe ndërhyrjes së shpejtë të një qytetari i cili mes flakëve nxori nga banesa një bombol gazi dhe një çift të moshuarish duke iu shpëtuar jetën përpara se të asfiksoheshin.
Automjetet e zjarrëfikëse patën vështirësi për të mbërritur në vendngjarje për shkak të rrugicave të bllokuara nga parkimet e automjeteve.
Ndërhyrja për lokalizimin dhe shuarjen e flakëve u bë e mundur nga dy anët e rrugës por për zjarrëfikëset ishte një operacion i vështirë. 6 automjete zjarrëfikëse dhe 15 efektivë ndërhynë për shuarjen e flakëve.
NJOFTIMI I POLICISE:
Shkodër/Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Ahmet Haxhija”, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr dhe janë djegur plotësisht banesat e shtetasve B. K., 80 vjeç dhe S. K., 74 vjeç, dhe janë djegur pjesërisht banesat e shtetasve F. K., 68 vjeç, dhe Sh. Z., 75 vjeçe. Nga zjarri nuk ka patur shtetas të dëmtuar.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të rënies së zjarrit.