Është finalizuar mbrëmë, 13 shtator, një operacion masiv në Fier, Divjakë dhe Lushnje lidhur me firmat piramidale online. Drejtori i policisë së qarkut Fier bëri me dije se në kuadër të operacionit të koduar “XUEX”, janë kryer 83 kontrolle banesash e subjektesh, në Fier, Tiranë, Dibër, Berat dhe Gramsh. Mësohet se në pranga kanë rënë gjashtë persona, ndërsa janë shpallur në kërkim dy të tjerë.
Janë arrestuar:
– A. Ç., 38 vjeç, E. T., 21 vjeç, F. M., 23 vjeç
-M. K. 28 vjeç, banues në Tiranë
-B. T., 38 vjeçe dhe B.N., 38 vjeçe, të dyja banuese në Divjakë
Në kërkim: E. Sh., 35 vjeç dhe A. Sh. 29 vjeçe, të dy banues në Divjakë
“Investo për të fituar”, skema e mashtrimit
Këta shtetas, dyshohen për veprat penale të “skemave mashtruese piramidale” dhe “mashtrimit kompjutetik”, ndërsa Drejtori i policisë Fier theksoi se ata kanë vepruar si agjentë kryesorë në këtë aktivitet kriminal. Këta individë, të pozicionuar në nivelet e para të zinxhirit të skemës, kishin rol kyç në rekrutimin e pjesëmarrësve të rinj dhe në orientimin e tyre përmes grupeve të mbyllura në aplikacione si Telegram.
Aty ata udhëzoheshin se si të investonin në kriptomonedha si USDT dhe TRON me idenë se përmes këtyre investimeve do të shumëfishonin fitimet e tyre. Përdorimi i kriptomonedhave në këtë skemë nuk ishte rastësor, përkundrazi, ato u zgjodhën pikërisht për vështirësinë që ofrojnë në gjurmim dhe për perceptimin e gabuar që kanë tek shumë qytetarë si mjete “moderne” dhe të sigurta për investim.
Skema funksiononte mbi modelin klasik piramidal: qytetarët që investonin, udhëzoheshin të sillnin të paktën pesë persona të tjerë në sistem, për të rritur përfitimet e tyre. Sa më shumë persona të sillje dhe sa me e madhe vlera e investuar, aq më shumë të ardhura të premtuara. Por në të vërtetë, këto nuk ishin investime reale, por një mekanizëm i mirëorganizuar për të përfituar fonde përmes mashtrimit, ku vetëm nivelet më të larta fitonin, ndërsa shumica sidomos pjesa fundore e piramidës humbnin kursimet e tyre.
Bllokohen gjashtë llogari të kriptomonedhave
Po gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
50 aparate celularë
11 njësi kompjuterike
1 DVR, 2 hardisk
1 automjet
4.2 milion lekë, 28 mijë euro, 1750 dollarë dhe 340 franga
Gjithashtu, u ngrinë gjashtë llogari të kriptomonedhave, që dyshohet se janë përdorur për të kanalizuar të ardhurat nga aktiviteti kriminal.
“Ky rast duhet të shërbejë si një thirrje e fortë për ndërgjegjësimin e qytetarëve: mos besoni në “investime të sigurta” që premtojnë fitim të menjëhershëm. Mos lejoni që emocionet, dëshira për përfitim të shpejtë apo presioni nga persona të njohur t’ju shtyjë të bëheni pjesë e strukturave të tilla. Ato nuk janë mundësi investimi, janë mashtrime të strukturuara, të sofistikuara dhe të rrezikshme, ku në fund gjithmonë humbin më të pambrojturit“, ishte apeli i Policisë për qytetarët.
Tre platformat “fantazmë”
Kujtojmë se alarmi për këto mashtrime online u dha nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike që në gusht. Tre platformat TXEX, XUEXA dhe Grokrexduu, reklamoheshin si aplikacione për investime në kriptovaluta, edhe pse nuk janë të regjistruara apo të licencuara në vendin tonë.
Ata përdornin reklama joshëse dhe të rreme në rrjetet sociale, krijimin e grupeve të komunikimit në Telegram, WhatsApp apo Signal, si dhe prezantimin e fitimeve të fabrikuara për të ndërtuar besueshmëri tek viktimat.