Gjykata e Shkodrës caktoi masën “arrest në burg” për Ragip Gilën, autorin e dyshuar të vrasjes së Armando Palit dhe Liridon Krajës alias Lushi. Në seancën gjyqësore të kryesuar nga gjyqtarja Ermira Dedja, ai mbërriti nën masa të rrepta sigurie, shoqëruar nga forcat Shqiponja dhe FNSH.
Përballë togave të zeza Ragip Gila vendosi të heshtë, duke mos thënë asnjë fjalë mbi atentatin me 2 viktima dhe 2 të plagosur, që tronditi Shkodrën mëngjesin e 8 shtatorit. As avokati mbrojtjës nuk pranoi të japë detaje për mediat, duke kyçur gojën se cfarë ka kërkuar për klientin e tij. Ndërsa prokurori i çështjes, Pjerin Çukaj i qëndroi kërkesës së arrestit me burg për të riun Gila. Ndryshe nga qëndrimi në gjykatë, në dëshminë përpara oficerëve të policisë, Ragip Gila tha se shënjestra e tij ishte 44-vjeçari Erogen Vaso alias Bajroviç, i cili mbeti i plagosur. Nga ana e tij, 44-vjeçari Bajroviç tha se nuk ka lidhje me asnjë bandë në Shkodër dhe se nuk e njeh autorin, por ja lë drejtësisë zbardhjen e ngjarjes. Ragip Gila u arrestua nga forcat “Shqiponja” disa minuta pas ngjarjes, teksa po tentonte të largohej nga vendngjarja, ku si provë materiale ju sekuestruan dy armët e përdorura në ngjarje, një pistoletë dhe një scorpions, jeleku antiplumb dhe skafandra.