Policia e Shtetit
Finalizohet faza e radhës e operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, si rezultat i bashkëpunimit intensiv me partnerët, për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Kapet në Malin e Zi dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas i akuzuar për kultivim të bimëve narkotike, në Lezhë.
Falë informacionit të siguruar nga Departamenti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe i shkëmbimit të tij me Policinë e Malit të Zi, nëpërmjet Interpol Tiranës, u bë i mundur arrestimi në Malin e Zi, me qëllim ekstradimi në Shqipëri, i shtetasit shqiptar:
Magilian Deda, 31 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin e datës 23.04.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakumi”, i zhvilluar në muajin prill 2025, dyshohet se shtetasi Magilian Deda, ka bashkëpunuar me 1 shtetas të arrestuar gjatë këtij operacioni, për kultivimin e 1640 bimëve narkotikëve, në fshatrat Gocaj dhe Rraboshte, Lezhë. Gjatë operacionit “Vakumi” janë sekuestruar rreth 34 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, e paketuar për shitje.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet e Malit të Zi, vijon punën për finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasit Magilian Deda, në Shqipëri.