Shumë shpejt, harta arkeologjike e rajonit të Shkodrës do të pasurohet me një sit të ri arkeologjik: qytetin antik të Bushatit. Pas gërmimeve të nisura në vitin 2018 nga misioni arkeologjik Shqiptaro-Polak, i drejtuar nga Piotr Dyczek dhe Saimir Shpuza, po dalin në dritë të tjera të dhëna për një nga qytetet më të rëndësishme ilire në këtë zonë.

Gjatë fushatave të mëparshme u zbuluan dy porta hyrëse, duke lejuar kuptimin e shtrirjes së qytetit. Ndërkohë, gërmimet e fundit janë përqendruar në qytetin e sipërm, me qëllim zbardhjen e organizimit të brendshëm dhe të urbanistikës. Rezultatet paraprake tregojnë se kjo pjesë ka qenë e ndërtuar masivisht që në gjysmën e shekullit IV p.e.s.

Në bashkëpunim me IKTK dhe DRTK Shkodër, si dhe me ndihmën e Misionit Arkeologjik, u krye rilevimi dhe përcaktimi i zonifikimit të nevojshëm për ruajtjen dhe administrimin e territorit. Procesi përfshiu dokumentimin fotografik me dron, hartografimin përmes koordinatave në terren, si dhe pozicionimin në hartë të strukturave arkeologjike dhe zonave me potencial për kërkime të mëtejshme.

Ky zonifikim i ri, i shoqëruar me rregullore të posaçme për administrimin e zonës “A” në Bushat, synon të sigurojë mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike dhe shkencore. Autoritetet theksojnë se ruajtja, dokumentimi dhe menaxhimi i vlerave historike mbeten një prioritet, ndërsa Bushati pritet të kthehet në një pikë referimi për kërkime të reja dhe zhvillimin e turizmit kulturor në Shkodër.

Kryeministri Edi Rama reagoi per kete hap të rëndësishëm ku në rrjetin social shkruan:

🏛️ Qarku i Shkodrës pasurohet me një sit të ri arkeologjik në Bushat, ku gërmimet shqiptaro–polake kanë zbuluar gjurmë të qytetit antik ilir të shek. IV p.e.s. 🔍⛏️🧭📜🏺 🪡

Falë bashkëpunimit ndërinstitucional po hartohet edhe Zonifikimi Arkeologjik për administrimin e kësaj pasurie të çmuar kulturore 🇦🇱✨

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu