Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor dhe të Hetimit të Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër kanë ndërmarrë disa masa ndaj shkelësve të ligjit, për vepra të ndryshme penale dhe administrative.
-
U arrestua shtetasi E. B., 23 vjeç, banues në Itali, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
-
Filloi procedimi penal për shtetasin Gj. V., banues në fshatin Mali i Jushit, pasi u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi.
-
Po ashtu, nisi procedimi për shtetasin B. P., 38 vjeç, banues në fshatin Shelqet, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin pa leje drejtimi dhe është rrëzuar, duke pësuar dëmtime të lehta.
Nga ana e Specialistëve për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër:
-
U referuan materialet në Prokurori për shtetasit A. D., 27 vjeç dhe M. Rr., 35 vjeç, nga fshati Juban, pasi dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
-
U procedua edhe G. V., 27 vjeç, nga Shkodra, pasi në ambientet e lokalit të tij u konstatuar muzikë jashtë orarit të lejuar.
Në Velipojë, u procedua në gjendje të lirë shtetasi S. G., 19 vjeç, banues në fshatin Postribë, pasi iu gjet një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar Cannabis.
Gjithashtu, po në këtë zonë, u referuan materialet në Prokurori për një rast zjarri në fshatin Gomsiqe, i cili dyshohet se ka rënë për shkak të amortizimit të rrjetit elektrik, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke.
Ndërkohë, në Pukë, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit P. T., 38 vjeç, A. T., 18 vjeç, si dhe një 17-vjeçar, të cilët dyshohet se kanë goditur një 27-vjeçar për motive të dobëta.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.