Në një kohë kur disa bashki në vend po përballen me zjarre dhe dëme të konsiderueshme, rreziku nga ky fenomen parashikohet në rritje.

Në raportin e fundit të publikuar nga Banka Botërore mbi ndryshimet klimatike, theksohet se nga vendet evropiane, Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të rrezikut nga fatkeqësitë dhe ekspozimit ndaj zjarreve në pyje, të cilat kanë prekur 95 përqind të bashkive shqiptare në dy dekadat e fundit.

Sipas Bankës Botërore nga viti 1995 deri në vitin 2015 janë regjistruar në total 900 ngjarje të zjarreve në pyje dhe vlera e dëmeve rezulton në 13.4 milionë lekë apo 134 mijë euro.

Bashkitë më të ekspozuara nga zjarret në pyje të rankuara sipas nivelit të rrezikut, sipas Bankës Botërore, janë Puka, Fushë Arrëzi, Mirdita, Himara, Delvina, Malësi e Madhe, Pusteci, Kukësi, Finiqi, Memaliaj.

Rreziku i lartë i zjarreve në pyje përfaqëson një rezultat mesatar në bashki prej 3 ose më të lartë, bazuar në rrjetin e rrezikut nga zjarret në pyje të CIMA-s  i cili cakton një matie  nga 1 (rreziku shumë i ulët) deri në 6 (rreziku shumë i lartë).

Referuar dokumentit të BB, pavarësisht një rënieje vjetore të reshjeve të parashikuara prej 8.5 përqind deri në vitin 2050, ndryshueshmëria sezonale e reshjeve parashikohet të rritet, duke sjellë reshje ekstreme dhe zjarre (23 përqind e sipërfaqes së mbjellë është tashmë nën rrezik mesatar deri të lartë të zjarreve) dhe thatësira pritet të ketë ndikime të konsiderueshme në bujqësi dhe infrastrukturën kritike të energjisë.

BB vë ne dukje se temperatura mesatare vjetore është rritur me 1°C që nga vitet 1960,  dhe një klimë në ndryshim mund ta rrisë temperaturën mesatare vjetore me 2.4°C në 3.1°C deri në vitin 2050. Në këtë sfond, një rritje e ngjarjeve të nxehtësisë ekstreme do të ndikonte në produktivitetin e punës, vdekshmërinë dhe shëndetin, dhe do të shkaktonte si zjarre ashtu edhe thatësira.

Në fushën e popullsisë dhe vendbanimeve, një strategji gjithëpërfshirëse komunikimi për përshtatjen dhe ndërgjegjësimi për rrezikun e zjarreve janë komponentët kryesorë.  Nga ana tjetër Banka Botërore sugjeron se duhet të punohet për zhvillimin e hartave të rrezikut në shkallë kombëtare për zjarret dhe  krijimin e bazës së të dhënave për zjarret në pyje e cila llogaritet të ketë një kosto prej 1.3 milionë euro./scan

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu