Ballina Kulture Artisti Ermal Meta prezanton në Shkodër romanin ”Nesër e përgjithmonë”

Artisti Ermal Meta prezanton në Shkodër romanin ”Nesër e përgjithmonë”


E njohim për sukseset e jashtëzakonshme që ka arritur në Itali, por këtë herë Ermal Meta vjen si një shkrimtar. Artisti shqiptar, që jeton prej vitesh në shtetin fqinj është rikthyer në Shqipëri me librin “Nesër e përgjithmonë”. Promovimi në qendren rinore Arka Shkodër për të ishte i veçantë pasi si një nip i këtij qyteti, ai e nis edhe rrëfimin e romanit nga një fshat aty afër, Rragami. Meta rrëfeu se si arriti deri në shkrimin e librit duke treguar se ka ëndërruar gjithmonë një roman që të tregonte për rrënjët e tij. Momenti i duhur erdhi me pandeminë kur u fut në izolim.

“Kam dashur gjithmonë të shkruaj një roman. E kam përkëdhelur këtë ide që 20 vjeç por mundohesha shumë me muzikën dhe më dukej sikur i hiqja forcë dhe energji muzikës. Më dukej sikur nuk do të përqendrohesha aq mirë në objektivin kryesor si muzika. Por ky mendim sikur nuk fikej kurrë. Nuk gjeja kurrë kohën që të shkruaja. Forcën e arsyes, e motivit për të cilin doja të shkruaja se di, e kam pasur gjithmonë. Shpikjen e historive e kam pasur në mendje. Erdhi pandemia në 2020, ishim në lockdown dhe muzika nuk më vinte thjesht sepse dëgjoja vetëm sirenat e ambulancave në Milano. Më dukej se kisha një mungesa respekti të merresha me muzikë. Sikur nuk kishte vend për muzikën në atë momente por prapë nuk rrija dot pa krijuar diçka. Nuk kam kaluar më shumë se një javë pa shkruar diçka, dhe mendova se duke shkruar një libër në atë moment nuk do të heqja kohë muzikës. Nuk doja të shkruaja për jetën time. Më dukej si një gjë e pritshme dhe s’më pëlqente ideja që të tjerët mund të mendonin se çfarë ishte.Doja të tregoja për rrënjët e mia, një histori me disa arsye se përse ndodhën gjithë ato gjëra që ndodhën në ’91.”

Me Shkodrën e lidhin shumë kujtime dhe sot qytetin e sheh ndryshe.

“Kam ardhur shpesh këtu tek gjyshërit e mi dhe sot e shoh goxha të ndryshuar. Më pëlqen shumë”. 

Premton të vijë tek spektatori edhe si artist me krijime të reja por edhe libra të tjerë.

“Po patjeter po përgatis albumin tim dhe do të jem në Shqipëri me koncerte. Kam qënë edhe më herët. Po ashtu do të vazhdoj të shkruaj dhe sjell botime të tjera”. 

Në një roman të jashtëzakonshëm formues, Ermal Meta rrëfen historinë e Kajanit, që rritet mes stuhisë së konflikteve të shekullit XX, një shpirt i ndjeshëm i katapultuar në botë të largëta. Promovimi i tij erdhi nën kujdesin e ambasadës dhe istitutit italian të kulturës, si dhe bashkisë Shkodër. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Enable Notifications OK No thanks