Shkodra, qyteti i artit dhe kulturës, e preferuara e turistëve, sot mbytet në plehra. Lagje të tëra janë nën pushtetin e mbetjeve urbane, ndërsa temperaturat e larta e kthejnë qytetin në një kazan mbeturinash që fermenton në diell. Era e rëndë, insektet dhe ndotja janë bërë përditshmëri për banorët në lagjet pranë qëndres dhe ato në periferi. Firma e pastrimit, e kontraktuar për të garantuar një qytet të pastër, është praktikisht e zhdukur në disa fashë orari, pikërisht kur konsumi i mbeturinave është më i lartë, si pasojë e fluksit të turistëve dhe kthimit të emigrantëve për pushime. Në vend që të rrisë intensitetin e punës, kjo firmë duket se ka zgjedhur të mbyllë sytë dhe veshët përballë realitetit. Kontrata e saj me Bashkinë Shkodër, që duhet të ishte një garanci për qytetarët, është kthyer në një letër pa vlerë. Bashkia, nga ana tjetër, është thjesht inekzistente. Asnjë masë emergjente, asnjë plan afatshkurtër apo afatgjatë për t’i dhënë zgjidhje një situate që çdo ditë përkeqësohet. Ndërsa turistët që vizitojnë qytetin, përballen me pamjen e rëndë që në jo pak raste fiksohet në aparatet e tyre dhe bëhet pjese e përshtypjeve për vendin tonë. Imazhi që Shkodra përcjell në shumë zona, nuk është ai i një qyteti europian, por i një vendi të braktisur nga institucionet dhe i zhytur në papërgjegjësi.