Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj do të përballet me drejtësinë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas vendimit të gjyqtarit paraprak Erjon Cela për kalimin e çështjes në gjykim.
Bëhet fjalë për dosjen e njohur si “Buka”, në të cilën Ahmetaj akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Vendimi për kalimin në gjykim vjen pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet për këtë çështje. Tashmë, dosja do të shqyrtohet në themel nga trupa gjykuese, ndërsa mbetet të shihet si do të vijojë procesi ndaj ish-zyrtarit të lartë.
Vendimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 21.12.2023 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Dërgimin në gjyq të çështjes penale nr. 154, viti 2022, në ngarkim të të pandehurit Arben Ahmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal”. 2. Në seancën e datës 25.07.2025 (seanca paraprake), Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin nr. 7/34/124, datë 25.07.2025, vendosi: 1. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 2. Dërgimin për gjykim të procedimit penal nr. 154, i vitit 2022, i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të të pandehurit: – Arben Ahmetaj, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e parashikuar nga neni 248 i K.Penal. 3. Urdhërohet formimi i fashikullit të gjykimit duke përfshirë në të aktet e hetimeve paraprake dhe aktet e seancës paraprake. 4. Urdhërohet depozitimi i vendimit gjyqësor të dërgimit të çështjes në gjyq së bashku me fashikullin e gjykimit në sekretarinë e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si gjykata kompetente për gjykimin e çështjes së themelit, brënda dhjetë ditëve nga shpallja e tij. 5. Kundër këtij vendimi nuk lejohet e drejta e ankimit. Tiranë, më datë 25.07.2025 Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar