Përveç rrezikut nga zjarret gjatë verës, efektivët e shërbimit zjarrfikës në Shkodër përballen çdo ditë me vështirësi serioze në qarkullimin rrugor brenda qytetit. Parkimet e gabuara, bllokimi i rrugëve nga objekte të paligjshme, hekura apo elementë të tjerë pengues hasen shpesh në rrugët dhe rrugicat e Shkodrës, duke rrezikuar ndjeshëm ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse. Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Shkodrës, Agim Ponari, në një prononcim për mediat, ka shpjeguar vështirësitë me të cilat përballen çdo ditë efektivët në situata emergjente.

Bashkia Shkodër ka ngritur një grup pune për të evidentuar të gjitha pikat problematike në pesë rajonet e qytetit. Deri tani janë identifikuar mbi 35 pika kritike që pengojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve në rast zjarri. Sipas drejtorit Ponari, është e domosdoshme që këto pika të përfshihen në aksionin për lirimin e hapësirave publike, bazuar në planin e përbashkët të miratuar nga Bashkia dhe PMNZSH.

Pamjet tregojnë qartë pengesat që krijohen nga zënia e hapësirave publike – situata që, në rast urgjence, mund të rezultojnë fatale, si për ndërhyrjen ndaj zjarreve, ashtu edhe për shpëtimin e jetëve të qytetarëve. Fatmirësisht, deri më tani nuk janë regjistruar raste me pasoja fatale, por për zjarrfikësit kjo është një nga ndërhyrjet më të domosdoshme për zgjidhjen e një problematike që prej më shumë se 30 vitesh vazhdon të mbetet e pazgjidhur në Shkodër.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu