Në rrugën e Dukagjinit, thuajse në çdo kthesë ndeshesh me lapidarë që përkujtojnë viktimat e aksidenteve rrugore. Aktualisht në këtë rrugë nuk po punohet, ndërsa situata është edhe më e rëndë në aksin që të shpie drejt fshatit Plan, një rrugë e amortizuar dhe jashtëzakonisht e rrezikshme. Çdo përmirësim i bërë në këtë zonë ka qenë rezultat i nismave vetjake të banorëve. Aktualisht, në Plan po rikonstruktohet kisha e fshatit, një projekt që u iniciua nga i ndjeri Pjetër Rushaj, që humbi jetën në aksident me djalin e mitur. E gjithë ndërhyrja financohet nga kontributet e vetë banorëve.

Shpopullimi është kryefjalë e këtyre zonave. Dikur me mbi 700 familje, sot në Plan jetojnë vetëm 12 familje. Jeta këtu është e vështirë për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe investimeve. Ura që lidh fshatin është ndërtuar pjesërisht me kontributin dhe punën fizike të banorëve, por pjesa tjetër e saj është e degraduar dhe përbën rrezik serioz për kalimtarët.

Plani nuk ka as shkollë e as ambulancë funksionale. Mungesa e shërbimeve bazë ka bërë që shumica e banorëve të largohen nga fshati, duke e lënë atë në një gjendje të mjerueshme dhe të braktisur.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu