Qeveria zhvilloi gjatë ditëve të fundit një aksion për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit, çka ngjalli pakënaqësinë e banorëve dhe shkaktoi debate. Pyetja rëndom që është ngritur nga qytetarët, ka qenë përse autoritetet nuk morën masa më herët për të mos i lejuar këto ndërtime. Kësaj pyetje i ka dhënë përgjigje Kryeministri Edi Rama, nga Berati ku zhvilloi një takim me përfaqësues të teknologjisë.
Kryeministri u shpreh se për parandalimin e ndërtimeve pa leje në Theth nuk ka funksionuar zinxhiri, duke përmendur sërish edhe prokuroren e Shkodrës, Elsa Gjeli.
“Detyrimisht përgjigjia bëhët e vështirë sepse ata që duhet t’i shikonin, nuk kanë bërë gjënë e duhur dhe zinxhiri nuk ka funkionuar sepse një strukturë e ka çuar në Prokurori. Prokurorja ka thënë këtu s’ka probleme etj. Kjo do të thotë që koha për të ndërtuar një administratë si në vendet lidere të BE, ka qenë krejtësisht e pamjaftueshme. Se u bë në Shqipëri shumë zhurmë për një raport të auditit të brendshëm të BE për fondet e bujqësisë, mirëpo ajo që shohim sot me një tjetër vend të BE, nga i njëjti audit, është më e frikshme se sa çfarë doli nga auditi i Shqipërisë. Ai audit ka pranuar se në vendet e BE problematikat me fondet e bujqësisë mbeten reale sepse është njeriu në mes. Teknologjia këtu mund të na ndihmojë jashtëzakonisht. Ne kemi agjencinë e gjeo-referencave, ne kemi dronët që i kemi marrë për të kontrolluar vendin tonë, kemi satelitët, por na mungon një sistem funksional informacioni që të përpunojmë në kohë reale dhe nuk ka më nevojë as të kesh inspektorë”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.
Aksioni në Theth zgjati rreth 9 ditë ku u shembën disa ndërtime pa leje.