Vetëm pak ditë pasi Kryeministri Rama bëri këtë deklaratë duke paralajmëruar se shumë shpejt do të vijonte puna për shkrirjen e inspektorateve në një të vetëm, Këshilli i Ministrave përcaktoi 14 institucionet në vend që do të riorganizohen në këtë drejtim.
Këto 14 drejtori, agjenci apo inspektorate, nën juridiksionin e pushtetit qendror do të rigrupohen me qëllim efikasitetin e inspektimeve dhe uljen e numrit të tyre. Bëhet fjalë për krijimin e të 3 inspektorateve të mëdha qendrore, nën drejtimin e Inspektorit Qendror Shtetëror, që do të grupojë institucionet sipas fushës së tyre të veprimit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit; Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës do të bashkohen në një inspektorat të vetëm.
IKMT do të bëhet një inspektorat i madh dhe do të përfshijë në gjirin e vet institucionet aktuale si Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit; Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore; Agjencia Kombëtare e Mjedisit; Agjencia Kombëtare e Pyjeve; Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
Edhe institucionet që mbulojnë shëndetësinë do të bashkohen në një inspektorat të vetëm. Instituti i Shëndetit Publik, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe pjesërisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore do të jenë një.
Këtyre grupimeve të mëdha do t’i bashkohen në varësi të kompetencave të tyre edhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave; Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut si dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore.
Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit nuk do të preken në tërësi si institucione por funksionet e tyre inspektuese do të transferohen në inspektoratet e reja qendrore.
6 janë ministritë përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi i cili bazohet në ligjin e ri për inspektimet që u miratua më 13 shtator të 2024-ës, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Brendshme, e Shëndetësisë, Arsimit, Ekonomisë si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.