Dalin në dritë detaje të reja rreth ngjarjes së rëndë ku humbi jetën kapiteni 51-vjeçar Arben Anamali, ndërsa shpëtonte turistë izraelitë në liqenin e Shkodrës. Sipas burimeve nga vendngjarja dhe dëshmive të mbledhura nga Policia e Shkodrës, ditën e aksidentit Anamali ka qenë duke kryer transportin e zakonshëm turistik me varkën e bashkisë, në të cilën ndodheshin shtatë turistë nga Izraeli. Gjatë lundrimit, disa prej tyre janë hedhur në ujë pa paralajmërim dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me urdhrin e kapitenit për të mos e bërë një veprim të tillë, për shkak të rrymave të forta në zonë.

I alarmuar nga rreziku, kapiteni ka hedhur menjëherë jelekët e shpëtimit, përfshirë edhe të tijin, drejt tyre, dhe më pas është futur vetë në ujë për t’i ndihmuar. Ai ka arritur t’i afrojë pranë varkës dhe t’u shpëtojë jetën, por pas kësaj nuk është parë më në sipërfaqe.

Dyshohet se kapiteni ka pësuar arrest kardiak për shkak të lodhjes ekstreme dhe stresit fizik. Trupi i tij u gjet pas 48 orësh kërkime nga forcat e kërkim-shpëtimit dhe aktualisht ndodhet në morgun e spitalit rajonal të Shkodrës, ku pritet ekspertiza mjeko-ligjore.

Turistët izraelitë, pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre në polici, janë larguar nga Shkodra në drejtim të Tiranës. Ata kanë konfirmuar se janë futur në ujë pa marrë leje, duke injoruar thirrjet paralajmëruese të kapitenit.

Arben Anamali, i cili ishte baba i dy fëmijëve, punonte çdo ditë me varkën e vendosur në shërbim të turizmit nga bashkia. Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa për të priten nderime për sakrificën e tij.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu